Botërori 2026, nuk falin Anglia e Portugalia...
Anglia dhe Portugalia kanë fituar në përballjet për kualifikimet e Kampionatit Botëror të vitit 2026.
Në Birmingham, Anglia e ka mposhtur Andorrën me rezultat 2-0, duke e ruajtur rekordin e përsosur në Grupin K.
Ndeshja nuk ka qenë e lehtë pasi mysafirët janë mbrojtur me shumë lojtarë, por “Tre Luanët” e kanë gjetur golin e parë në minutën e njëzet e pestë, kur një krosim i Noni Madueke është devijuar nga Christian Garcia dhe ka përfunduar në rrjetë.
Më pas, në minutën e gjashtëdhjetë e shtatë, Declan Rice e ka vulosur fitoren me një gol me kokë pas asistimit të Reece James.
Anglia tani ka katër fitore rresht dhe kryeson grupin, duke e lënë Andorrën në fund të tabelës.
Ndërkohë, në Jerevan, Portugalia ka treguar forcë duke fituar me rezultat bindës 5-0 ndaj Armenisë.
Joao Felix ka shënuar dy gola, ndërsa kapiteni Cristiano Ronaldo ka realizuar po ashtu dy herë, duke treguar se mbetet vendimtar për skuadrën. Një tjetër gol është shënuar nga Joao Cancelo.
Portugalia, që në verë e kishte fituar Nations League, e ka nisur fushatën kualifikuese në mënyrën më të mirë dhe tashmë kryeson Grupin F. Armenia mbetet në fund të grupit.