Putini përgjysmon çmimin e gazit për Serbinë, Vuçiç; Kemi furnizim më të lirë se Europa për 3 muaj

Kosovë&Rajon

Putini përgjysmon çmimin e gazit për Serbinë,

Serbia ka siguruar furnizimin me gaz rus edhe për tre muaj të tjerë me çmime shumë më të ulëta se tregu europian, pas një marrëveshjeje të arritur mes presidentit serb Vuçiç dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.

Marrëveshja u konfirmua nga vetë Vuçiç, i cili tha se gjatë bisedës me Putin janë diskutuar të gjitha çështjet kryesore, por theksi kryesor ishte te zgjatja e kontratës së gazit.

“Morëm një zgjatje edhe për tre muaj me kushte shumë të favorshme,” u shpreh ai.

Sipas tij, Serbia do të vazhdojë të furnizohet me rreth 6 milionë metra kub gaz në ditë, me fleksibilitet për të marrë më shumë në rast nevoje, sidomos në periudha të ftohta apo situata emergjente.

Çmimi do të përcaktohet sipas formulës së lidhur me naftën, çka e mban atë shumë më të ulët se tregu ndërkombëtar.

Vuçiç dha edhe shifra konkrete: ndërsa çmimi në bursë është rreth 645 dollarë për 1 mijë metra kub, Serbia paguan mesatarisht 320–330 dollarë.

Kjo, sipas tij, e rendit vendin ndër më të favorizuarit në Europë për çmimin e gazit, menjëherë pas Bjellorusisë.

Ai shtoi se Serbia po rrit gradualisht furnizimin edhe nga Azerbajxhani, si pjesë e përpjekjeve për të diversifikuar burimet e energjisë.

Gjatë bisedës mes dy presidentëve janë diskutuar edhe tema të tjera, përfshirë bashkëpunimin në mjekësi, farmaceutikë dhe projekte ekonomike./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT