Serbia pretendon se Igor Popoviç e pranoi “nën presion” fajësinë në Kosovë për nxitje të përçarjes

Kosovë&Rajon

Serbia pretendon se Igor Popoviç e pranoi “nën presion”

Ministria e Drejtësisë e Serbisë deklaroi të shtunën se zyrtari serb Igor Popoviç e nënshkroi “nën presion, dhe jo me vullnetin e tij të lirë” marrëveshjen me prokurorët e Kosovës për pranimin e fajësisë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

Sipas Ministrisë serbe, “nënshkrimi dhe përdorimi i marrëveshjeve për pranimin e fajësisë në një rast të tillë shërben ekskluzivisht si një mjet për stigmatizim shtesë të popullit serb dhe forcimin e kontrollit politik, dhe jo si një instrument i sundimit të ligjit”.

Ministria nuk ka dhënë asnjë provë për të mbështetur pretendimin se Popoviç e pranoi fajësinë nën presion.

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi më 8 gusht Popoviçin me gjashtë muaj burg për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, dënim që iu zëvendësua me një gjobë prej 3,000 eurosh, si dhe ia ndaloi hyrjen në Kosovë për dy vjet.

Popoviç, ndihmës i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë Speciale të Kosovës për pranimin e fajësisë për nxitje dhe përhapje të urrejtjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit më 18 korrik.

Gjatë atij fjalimi, ai e kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.

Vetë Popoviç pranoi të premten para gjykatësit se qëndron prapa marrëveshjes dhe se “marrëveshjen e kishte nënshkruar pa asnjë lloj presioni”.

Në reagimin e saj të shtunën, Ministria serbe e përshkroi gjyqin kundër Popoviçit si “një shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të popullit serb”.

Sipas Ministrisë, marrëveshja për pranimin e fajësisë “nuk prodhon efekt juridik në rendin juridik të Serbisë” dhe “është e pavlefshme, sepse është lidhur nën presion dhe në kushte shkeljeje të të drejtave themelore të garantuara nga Rezoluta 1244 dhe Karta e OKB-së për të Drejtat e Njeriut”.

Ministria i bëri thirrje “misioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë” dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian “që të reagojnë urgjentisht”.

Popoviç u arrestua më 18 korrik në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut, pas fjalimit në Rahovec. Pas 48 orësh paraburgimi policor, iu cakua masa e paraburgimit prej një muaji. Vendimi u apelua nga avokati i tij, por u konfirmua nga shkalla e dytë më 31 korrik.

Prokuroria e akuzoi atë për nxitje dhe përhapje të urrejtjes dhe mosdurimit gjatë fjalimit në Hoçë të Madhe.

Çështja e arrestimit të Popoviçit u trajtua nga zyrtarët serbë në takime me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në Serbi, si dhe me shefin e OKB-së, Antonio Guterres.

Pas vendimit të paraburgimit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq paralajmëroi Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”, një deklaratë që u konsiderua si kërcënim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se nuk do të tolerojnë “që të fyhet dhe përdhoset historia dhe lufta e udhëhequr nga UÇK-ja”, forcë që luftoi për çlirimin e Kosovës në periudhën 1990-1999.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë mbi 13,000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur, ndërsa rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende. Autoritetet e Kosovës kanë dënuar dhe akuzuar persona për krime lufte në dekadat e fundit.

ME TE LEXUARAT