Zgjedhja e presidentit/ Ambasada gjermane dhe zyra e BE-së në Prishtinë: Të gjitha palët të veprojnë në përputhje me Kushtetutën

Kosovë&Rajon

Zgjedhja e presidentit/ Ambasada gjermane dhe zyra e BE-së në

Zhvillimet politike në Kosovë, veçanërisht procesi i zgjedhjes së presidentit, po ndiqen nga afër nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë respektim të plotë të Kushtetutës dhe arritjen e një kompromisi mes forcave politike.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka bërë të ditur se pret nga të gjitha palët politike që të veprojnë në përputhje me rendin kushtetues dhe të kontribuojnë në stabilitetin institucional të vendit. Zyrtarja e ambasadës, Catalina Heine, u shpreh se procesi po monitorohet me vëmendje.

Në të njëjtën linjë është edhe Bashkimi Evropian, i cili përmes zyrës së tij në Prishtinë thekson rëndësinë e funksionimit normal të institucioneve dhe arritjes së kompromisit politik. Zëdhënësi Nikola Gaon u bëri thirrje aktorëve politikë që të respektojnë Kushtetutën e Kosovës dhe të sigurojnë stabilitetin institucional në interes të qytetarëve.

Ai nënvizoi se BE e konsideron të rëndësishme që Kosova të mos humbasë kohë në proceset politike dhe të avancojë në reformat dhe integrimin evropian, duke kujtuar se viti 2025 është vlerësuar si një “vit i humbur” për shkak të ngërçeve institucionale.

Sipas tij, Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion mbështetje të konsiderueshme financiare për Kosovën, përfshirë Planin e Rritjes me vlerë 882.6 milionë euro deri në vitin 2027, si dhe fonde shtesë përmes programeve IPA dhe WBIF. Megjithatë, përfitimi nga këto fonde lidhet ngushtë me funksionimin e plotë të institucioneve shtetërore.

BE ka theksuar se mbetet e angazhuar për mbështetjen e Kosovës, por kërkon partnerë institucionalë funksionalë për të vijuar bashkëpunimin dhe procesin e reformave.

ME TE LEXUARAT