Debate në seancën për Veliajn, kryebashkiaku i kthehet gjyqtares: Meqenëse ju s'më dëgjoni, po largohem!

Në GJKKO po zhvillohet seanca paraprake në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, dhe të disa personave të tjerë të përfshirë në dosjen e njohur si “Veliaj”. Gjatë seancës, Veliaj ka lëshuar sallën e gjyqit me pretendimin se trupi gjykues nuk po e dëgjonte, duke u shprehur: “Meqenëse ju s’po më dëgjoni, po largohem.”
Në seancë ka pasur edhe kërkesa të tjera, ku avokatja e Veliajt, Valentina Teodoresku, ka kërkuar shtyrje të seancës për shkak të mungesës së kohës për t’u konsultuar me klientin e saj lidhur me aktet hetimore. Ajo argumentoi se taksia e kishte pritur vetëm një orë në qendrën e paraburgimit në Durrës, duke mos pasur mundësi për të përfunduar konsultat. Kërkesa e saj u refuzua nga gjyqtarja Etleva Deda, ndërsa Veliaj ka kërkuar përjashtimin e saj, duke pretenduar se i ishte mohuar e drejta për mbrojtje efektive.
Ndërkohë, seanca ka vijuar me konkluzionet përfundimtare të palëve të tjera. Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, është gjithashtu e përfshirë në këtë proces dhe është dërguar për gjykim, po ashtu për akuza të ngjashme me ato të bashkëshortit të saj. Kjo përfshin korrupsion pasiv në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.
SPAK ka ngritur 13 akuza ndaj Erion Veliajt, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje sendeve në burg. Shumica e akuzave lidhen me korrupsionin pasiv, kryer në 9 raste në lidhje me disa kompani për të cilat Veliaj ka marrë përfitime të paligjshme në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, në këmbim të lejeve të ndërtimit dhe fondeve publike.
Edhe Ajola Xoxa është akuzuar për korrupsion pasiv, ndërsa për të janë ngritur akuza edhe për pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Po ashtu, disa biznese dhe individë janë akuzuar për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, si dhe për fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash.


