Rama njofton mbështetje të re për biznesin përmes Programit 'Dyfisho ndërmarrjen tënde'

Kryeministri Edi Rama në podcastin 'Flasim', ka prezantuar një program të ri që po përgatitet nga qeveria, i quajtur “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, i cili synon të ndihmojë bizneset e vogla dhe të mesme të rriten.
Programi është menduar për sipërmarrjet që kanë krijuar një bazë, por e kanë të vështirë të bëjnë hapin tjetër për shkak të mungesës së financimit.
Qëllimi është t’u jepet mundësi këtyre bizneseve të zgjerojnë aktivitetin dhe të rrisin kapacitetet e tyre.
Plani parashikon përdorimin e instrumenteve financiare dhe garancive sovrane, ku shteti do të shërbejë si garant për të lehtësuar aksesin në kredi dhe mbështetje financiare.
Në disa raste, në këtë proces mund të përfshihen edhe bashkitë, në varësi të llojit të biznesit.
Ideja është që përmes këtij programi të krijohen më shumë mundësi zhvillimi për sipërmarrjet shqiptare dhe të ndikohet pozitivisht në ekonominë e vendit.


