“E ndjejmë deri në palcë vlerën e Europës”, Rama: Shqipëria në hapat e fundit drejt BE-së

Politikë

“E ndjejmë deri në palcë vlerën e Europës”,

Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në aktivitetin e Ditës së Europës, ku theksoi rëndësinë e integrimit europian për Shqipërinë.

Kreu i qeverisë u shpreh se shqiptarët e ndjejnë thellësisht vlerën e Europës dhe të qenit pjesë e Bashkimit Europian, ndërsa shtoi se vendi është më pranë se kurrë realizimit të këtij objektivi.

“Ne e ndjejmë deri në palcë vlerën e paçmuar të Europës, të të qenit europian dhe mundësinë për të jetuar në BE”, tha Edi Rama.

Ai përmendi edhe zhvillimet në sistemin e drejtësisë, duke vlerësuar reformën në drejtësi si një hap të rëndësishëm në rrugën europiane të vendit.

Sipas tij, organizimi i Kongresit Botëror të Ligjit në Shqipëri vitin e ardhshëm është tregues i progresit të bërë.

Edi Rama theksoi se pa mbështetjen e BE, reforma të tilla nuk do të ishin të mundura.

Ai kritikoi gjithashtu ata që e shohin BE-në si pengesë, duke theksuar se ajo është garanci për shtetin e së drejtës dhe një rrugë pa kthim për Shqipërinë.

“Ëndrra europiane nuk është më një horizont i largët, por një majë që tashmë shihet me sy. Jemi në hapat e fundit të një historie që ka zgjatur me shekuj”, deklaroi kryeministri.

ME TE LEXUARAT