Festivali “Bukë e Zemër” bën bashkë mbi 150 arkitektë ndërkombëtarë në Tiranë, Rama me krenari: Vendi ynë prodhon më shumë arkitekturë se Europa
Kryeministri Edi Rama mori pjesë paraditen e kësaj të premte në ceremoninë e hapjes së festivalit europian “Bread & Heart” (Bukë e Zemër).
Ky event i rëndësishëm ka bërë bashkë në kryeqytetin e Shqipërisë mbi 150 arkitektë të njohur ndërkombëtarë nga Europa, Azia, Amerika Verore e Jugore, të cilët punojnë në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë i uroi mirëseardhje të gjithë këtyre profesionistëve në Shqipërinë e bukur, e cila prodhon sot më shumë arkitekturë sesa Evropa bashkë.
Rama shtoi se ky festival është një hapësirë e re shpirtërore dhe kulturore që synon të fuqizojë dialogun dhe bashkëpunimin mes arkitektëve dhe politik-bërësve.
Ndërkohë, që këtë ngjarje ai e lidhi edhe me simbolikën shpirtërore të Bajramit, duke e cilësuar festivalin si një “Bajram të shpirtit” dhe një hap përpara në rrugën e ëndrrave të përbashkëta.
“Sot është Bajram, një ditë e shenjtë, festë kombëtare që pritet nga të gjithë shqiptarët pavarësisht besimit të tyre. Është një ditë e rrënjosur në një histori që u përket myslimanëve, të krishterëve, hebrenjve dhe mbi të gjitha kujtesës së përbashkët shpirtërore të njerëzimit. Një histori që rrugëton në kohë, besime dhe gjeografi dhe mbërrin me një rëndësi të patjetërsueshme të asaj ku jemi sot. Të gjithë e dimë, Shqipëria nuk është një vend që tërheq arkitektët më vizionarë të botës me para dhe shkëlqime.
I tërheq me një gjë më të vështirë, besimi i përbashkët në realitetin e një ëndrre dhe besimi që mund të mbartet jo vetëm këtu. Diçka plot jetë, e papërsëritshme, diçka e lirë nga komforti i rregulloreve. Ky festival është një Bajram i shpirtit, një akt i hedhjes së hapave përpara. Kjo bërje bashkë e një nisje të re dhe e një dite të shenjtë, mirë a keq, nuk besoj në rastësi. Ju ftoj të gjithëve të ndjeni lidhjen mes kësaj dite dhe kësaj aventure të re, për ta marrë këtë konvergjencë jo si rastësi, por si bekim.
Emrin e festivalit e përshkroi kështu: Jemi këtu për të vënë një bast shumë të fortë, si një katalizator në një shoqëri që duhen rinegociuar marrëdhëniet. Kemi gjetur një emër për hapësirën që kemi nisur të krijojmë, Festivali “Bukë e Zemër”. Kjo shprehje është trinia e shenjtë e Shqipërisë, një kod nderi për të mirëpritur udhëtarë e të huaj, jo më pak se bukë për stomak, kripë për shije e çka ka më rëndësi, zemër”, tha Rama ndër të tjera.
Ditën e sotme, nga ora 8:00 deri në orën 23:55, do të jetë dita e hapur festivalit. Edicioni i parë i festivalit nën moton “Bukë dhe zemër/ Sillni pak kripë ju lutem”, mikson mikëpritjen shqiptare me një ftesë për dialog të hapur dhe një mundësi ndërlidhje mes arkitektëve botërorë dhe atyre shqiptarë.
Një festival mikpritjeje, arkitekture dhe dialogu mbi të ardhmen, ku vizionarët globalë dhe perspektivat lokale takohen, shkëmbejnë ide dhe frymëzojnë.
Ky festival, i zhvilluar nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama është një event historik për Shqipërinë. Dita e hapur e festivalit është planifikuar të jetë e ndarë në katër sesione, ku do të çelen ekspozita, do të zhvillohen konferenca.
Do të jenë mbi 150 grupe arkitektësh pjesëmarrës në këtë ngjarje historike në fushën e arkitekturës, të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Grupet e arkitektëve që do të jenë pjesë e festivalit, janë të angazhuar në projekte që po zhvillohen në të gjithë Shqipërinë.