“Nuk më pëlqeu statusi i Spiropalit, s’duhet të përjashtohet”, Braçe: Personalizimi i pushtetit, problem!

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka folur në emisionin “Kjo Javë” në News24 për situatën e fundit politike brenda PS-së dhe debatet që kanë përfshirë ish-ministren e Jashtme Elisa Spiropali dhe kryeministrin Edi Rama.
Braçe tha se mbledhja e fundit e socialistëve ka zgjatur rreth 4–5 orë, ndërsa çështja që lidhej me Spiropalin është trajtuar vetëm për disa minuta. Ai theksoi se “gjërat e brendshme të partisë nuk duhet të dalin në publik”.
Sipas tij, nuk duhet të ketë përjashtime brenda Partisë Socialiste për shkak të mendimeve ndryshe, duke shtuar se kjo forcë politike e ka kaluar atë fazë.
“Nuk duhet të përjashtohet Elisa Spiropali. PS e ka përjashtuar fazën ku mund të përjashtojë njerëz për mendime ndryshe”, u shpreh Braçe.
Ai pranoi gjithashtu se ka pasur pakënaqësi edhe vetë brenda strukturave të partisë, duke përmendur raportet me Bashkinë e Tiranës dhe diskutimet për drejtimin e saj.
Braçe komentoi edhe reagimin publik të Spiropalit, duke thënë se nuk i kishte pëlqyer mënyra e kërkesës për përjashtim nga partia.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për atë që e quajti “personalizim të pushtetit” brenda institucioneve dhe partisë, duke paralajmëruar se kjo krijon pabarazi dhe dëmton shërbimin publik.


