Paga mesatare e mësuesve mbi 1200 euro/ Programe ushqimi dhe “after school”, programi i qeverisë “Rama4” për arsimin
Në programin e qeverisë "Rama 4" parashikohet rritje e pagës mesatare të mësuesve 1,250 euro deri në vitin 2029.
Pjesë nga programi:
• Rrisim pagën mesatare të mësuesve në 1,250 euro deri në vitin 2029.
• Ndërtojmë 200 shkolla të reja, të pajisura me infrastrukturë europiane dhe teknologji moderne, për të garantuar arsim cilësor për çdo nxënës.
• Vendosim 1000 laboratorë inteligjentë në shkolla deri në vitin 2027, duke garantuar akses për çdo nxënës në mësimin e teknologjisë digjitale.
• Zgjerojmë shërbimet arsimore online, digjitalizojmë testimet dhe sigurojmë njohjen automatike të diplomave, përmes ngritjes së një agjencie të specializuar dhe të certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare.
• Zbatojmë programin e ushqimit në çdo bashki qendër qarku dhe nisim një program të ri pas-shkollor (after school), brenda mandatit të katërt.
• Zhvillojmë kurrikula të reja ku teknologjia digjitale, inovacioni dhe inteligjenca artificiale janë pjesë integrale, ndërsa të gjithë mësuesit trajnohen për t’i zbatuar ato me aftësi digjitale dhe metoda bashkëkohore të mësimdhënies.
• Garantojmë tekstet falas për 236 mijë nxënës të arsimit bazë, nxënësit e pakicave kombëtare dhe kategori të veçanta sociale të shkollave të mesme.
• Digjitalizojmë arsimin dhe integrojmë inteligjencën artificiale në mësimdhënie e mësimnxënie, duke siguruar tekste shkollore online përmes platformës SMIP dhe shërbime digjitale të plota nga regjistrimet deri te komunikimi me prindërit.
• Investojmë për pajisjen e shkollave me kamera inteligjente, dyfishojmë numrin e oficerëve të sigurisë dhe rrisim prezencën e psikologëve dhe punonjësve socialë në shkolla.
• Rrisim numrin e mësuesve ndihmës për mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe investojmë në klasa burimore në çdo shkollë, si edhe në platforma të personalizuara të mësimdhënies sipas nevojave specifike të nxënësve.
• Ngremë shoqërinë publike të transportit shkollor dhe nisëm ofrimin e transportit falas për nxënësit dhe mësuesit që udhëtojnë në distancë nga vendbanimi i tyre, në zona të caktuara.
• Mbështesim zhvillimin e shkollave me orientim artistik dhe sportiv, duke garantuar autonominë dhe mbështetjen e tyre financiare, si dhe ngremë një model të ri shkolle me drejtim shkencor dhe fokus tek inovacioni, duke filluar me hapjen e Liceut FrankoShqiptar.
• Zgjerojmë brenda vitit 2027 programin e mbështetjes financiare për mësuesit në diasporë dhe forcojmë mbështetjen për fëmijët dhe mësuesit e gjuhës shqipe me libra falas dhe me krijimin e platformës së mësimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare.
• Dyfishojmë numrin e nxënësve në arsimin professional duke investuar 60 milionë euro do në ndërtimin e shkollave profesionale dhe instalimin e laboratorëve teknikë.
• Arrijmë që 35% e numrit të përgjithshëm të nxënësve të ndjekin arsimin profesional dhe garantojmë që deri në vitin 2030 të gjithë nxënësit e arsimit profesional të kenë konvikte me standarde europiane.
• Kthejmë ndërkombëtarizimin e universiteteve në udhërrëfyes të politikave zhvillimore në arsimin e lartë, duke synuar hapjen e filialeve të universiteteve prestigjioze ndërkombëtare dhe shtimin e programeve të përbashkëta, të dyfishta dhe në gjuhë të huaj.
• Hapim pranë Universitetit Politeknik të Tiranës kampusin e Universitetit Teknologjik të Compiegne, duke pasuruar ofertën akademike për studentët vendas dhe të huaj.
• Përfshijmë diasporën akademike në hartim politikash, mësimdhënie dhe kërkim shkencor, përmes programeve qeveritare, që përcjellin eksperiencat më të mira ndërkombëtare dhe krijojnë ura bashkëpunimi.
• Ndërtojmë një sistem kërkimor-shkencor të përafruar me modelin e BE, duke zbatuar kuadrin ligjor për shkencën dhe duke dyfishuar investimet për laboratorë modernë në universitetet publike, institutet dhe njësitë kërkimore.
• Nisim mbështetjen financiare për programe doktorale për kërkuesit e rinj, duke përfshirë diasporën akademike dhe nxitjen e bashkëpunimit akademi-biznes, me synim që sistemi i kërkimit shkencor në Shqipëri të përthithë fonde të krahasueshme me vendet e BE nga programi Horizon Europe.
• Përmirësojmë infrastrukturën universitare dhe kërkimore përmes ngritjes së kampuseve të reja dhe investimeve madhore, duke nisur ndërtimin e kampusit të Universitetit të Tiranës dhe Kolegjit të Evropës, zhvilluar kampusin e Universitetit të Durrësit, përfunduar investimet në kampuset e Universitetit Politeknik dhe ndërtuar Fakultetin e Shkencave Mjekësore në Universitetin e Elbasanit.