Skemat piramidale/ Gjykata lë në burg 4 të arrestuarit, 2 të tjerë ‘detyrim paraqitje’
Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg me afat 60 ditë për 4 prej të arrestuarve në kuadër të operacionit “Xuex” që goditi firmat piramidale online.
Kështu, në burg për 60 ditë u lanë Arbër Çela, Marius Kodra, Brunilda Ndini dhe Brunilda Todi.
Ndërsa dy të arrestuarit e tjerë, Emanuel Taullau dhe Flavio Mukaj, u lanë në detyrim paraqitje.
Këta dy të fundit janë kamarierët në lokalin e Arbër Çelës, që shërbente edhe si bazë e grupit të skemave piramidale online.
Theksojmë që Prokuroria e Fierit kërkoi arrest në burg për 6 të arrestuarit në kuadër të këtij aksioni.
Të akuzuarit mbërritën në Gjykatën e Fierit në orën 08:30 të mëngjesit të sotëm, ndërsa vendimi për masën e sigurisë u dha rreth orës 15:00.
Në seancën me dyer të mbyllura, ata kanë dhënë dëshminë e tyre para trupës gjykuese, ku janë shprehur se janë viktima të situatës.
Këta shtetas kanë patur rol kyç në funksionimin e kësaj skeme mashtruese dhe mbi ta rëndojnë veprat penale “Skema mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim Kompjuterik”
Operacioni u shtri në disa qytete të vendit por filloi dhe u finalizua në Qarkun Fier. Skema arriti të zbulohej nga agjentë të infiltruar të policisë ndërsa në ditët në vijim, pritet të arrestohen dhe persona të tjerë, ndërkohë që çifti i bashkëshortëve Erledio dhe Alma Shebeku janë ende në kërkim.