“Po të ishte rritur korrupsioni, nuk do rritej ekonomia”, Rama: E refuzoj me neveri këtë narrativë

Politikë

“Po të ishte rritur korrupsioni, nuk do rritej ekonomia”, Rama:

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në asamblenë e Partisë Socialiste në Njësinë 12 në Tiranë.

Aty ai u ndal te rritja e ekonomisë, duke u shprehur se refuzon të dëgjojë kritikat për rritjen e korrupsionit.

Ai tha se nëse kjo gjë do të ndodhte, atëherë nuk do të kishte rritje të ekonomisë në vend.

“E kemi vënë Shqipërinë në një pozicion krejt tjetër nga ai që kishte. Kemi fituar respekt dhe besim ndaj atyre që bënin sikur na respektonin. Në të njëjtën kohë, kemi rritur ekonominë.

Unë e di që sado të rritet ekonomia nuk është asnjëherë mjaft dhe njerëzit synojnë për më shumë. Fakti është që pagat i kemi rritur në mënyrë sistematike dhe tani kemi filluar të paguajmë edhe vjetërsinë në punë. Sot që flasim, mësuesit paguhen për vjetërsinë në punë, mjekët dhe infermierët, ushtarakët, punonjësit e policisë po ashtu.

Po bëhet tani sepse ne i krijuam mundësitë që të bëhet. Nuk ka pasur gjë më normale qëkur ne kemi marrë detyrën, se pensionistët që kërkonin të rriteshin pensionet, por s’kishte mundësi. Ajo ishte ekonomia që kishim trashëguar dhe duhet të krijonim mundësinë. Dhe filloi rritja në janar me atë bonusin ekstra, që në janarin e vitit të ardhshëm do të jetë dyfishi. Në 2028-ën trefishi, 2029-katërfishi dhe në 2030-ën pesëfishi. Kjo vjen se u rritën mundësitë.

Ne nuk numërojmë pasaportat shqiptaret që hyjnë në Shqipëri. Numërojmë vetëm ato të huajat.

Këto që themi janë faktet. Nuk mund të çohet një njeri dhe të thotë me plot gojën: ‘Është rritur korrupsioni’. Kjo është një gënjeshtër shumë e madhe, sepse po të ishte rritur korrupsioni nuk do të rritej ekonomia, pensionet, numri i përfituesve nga garat publike etj. Unë e refuzoj me neveri këtë narrativë që nuk dinë të thonë gjë tjetër veç: ‘Vjedhje, vjedhje, vjedhje! Korrupsion, korrupsion, korrupsion!’. Por po të ishin të vërteta këto, nuk do të ndodhnin ndryshimet që ne kemi bërë”, tha Rama.

ME TE LEXUARAT