Rama takon kreun e NATO-s në Bruksel: Do ndërtojmë terminalin ushtarak në Porto Romano

Politikë

Rama takon kreun e NATO-s në Bruksel: Do ndërtojmë terminalin

Kryeministri Edi Rama është takuar në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Rutte u shpreh se Shqipëria është një aleat i fortë i NATO-s dhe se brenda këtij viti do të arrijë të plotësojë angazhimin për shpenzimet në mbrojtje deri në 2% të PBB-së.

Po ashtu ai përmendi edhe faktin se Shqipëria po zhvillon bazën industriale të mbrojtjes, që për Rutte-n është shumë i rëndësishëm në këtë moment. Ai i tha Ramës se Shqipëria po ndihmon shumë edhe në luftën në Ukrainë.

“Vërtetë po bëni shumë më tepër, përtej madhësisë suaj. Në të vërtetë ju jeni shumë e gjatë, megjithatë Shqipëria nuk është aleati më i madh i yni. Dua t’ju falënderoj shumë që jeni një aleat kaq i patundur. Ju e dini që NATO-ja mund të mbështetet tek Shqipëria dhe ju E dini, që Shqipëria gjithmonë mund të mbështetet tek NATO-ja”, tha Rutte.

Kryeministri Rama u shpreh se ka gjithmonë diçka për të mësuar prej NATO-s.

“Jemi këtu për të rikonfirmuar gjithçka që ju thatë dhe më shumë. Duam të bëjmë më shumë. Tashmë po rinisim rilindjen e industrisë sonë ushtarake.

Jemi shumë të prirur të diskutojmë me ju punën e mëtejshme që duhet bërë për të bërë të mundur portin e ri ushtarak në Shqipëri, në Porto Romano.

Sigurisht, jemi këtu gjithashtu për të folur së bashku se si mund të përfshihemi në programin SAFE të Bashkimit Europian, i cili në aspektin e sigurisë shtrihet përtej kufijve të vendeve anëtare të BE-së”, tha Rama në fjalën e tij.

Rama ndodhet që prej ditës së martë, 16 shtator në Bruksel, në kuadër të Konferencës së Gjashtë Ndërqeveritare ku hapën edhe katër kapituj të tjerë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.

Herën e fundit ata janë takuar në qershor, në vigjilje të Samitit të NATO-s në Hagë, ku diskutuan për angazhimin e NATO-s për të mbështetur terminalin ushtarak në Portin e ri të Durrësit në Porto Romano.

Rama dhe Rutte janë takuar edhe në ambientet e Kryeministrisë në Shqipëri, në maj 2025, gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë. Ata kanë diskutuar vazhdimisht lidhur mbi forcimin e mëtejshëm të rolit të Shqipërisë në Aleancë, sfidat e sigurisë në rajon dhe kontributin e vendit në NATO.

Ish-kryeministri holandez dhe kreu i qeverisë shqiptare njihen për miqësinë e tyre dhe humorin që i karakterizon në çdo takim.

Për Ramën, Rutte është jo vetëm një mik i veçantë, por edhe mbështetës i paepur i vendit tonë.

ME TE LEXUARAT