"Rruga e Arbrit po sjell zhvillim", Rama në Asamblenë e PS-së: Dibra, jastëku i gjelbër i kryeqytetit

Politikë

"Rruga e Arbrit po sjell zhvillim", Rama në Asamblenë e

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në asamblenë e Partisë Socialiste në Dibër, u ndal te rëndësia e Rrugës së Arbrit dhe ndikimi që kjo vepër infrastrukturore po sjell në zhvillimin ekonomik të zonës.

Rama vlerësoi rezultatin e zgjedhjeve në qarkun Dibër, duke theksuar se tre mandatet e fituara në këtë qark kanë një peshë të veçantë dhe pasqyrojnë një mbështetje të fortë për Partinë Socialiste.

Sipas tij, Rruga e Arbrit nuk është më një premtim apo projekt në letër, por një vepër e përfunduar që tashmë ka nisur të japë frytet e para. Kryeministri tha se është rritur vlera e pronave dhe tokës në zonë, ndërsa kërkesat për ndërtime në Peshkopi dhe rrethinat e saj janë shtuar ndjeshëm.

Ai theksoi gjithashtu se tashmë kushtet janë më të favorshme për tërheqjen e investimeve nga emigrantët dibranë, të cilët sipas tij mund të rikthejnë kursimet dhe fitimet e tyre për t’i investuar në vendlindje.

Rama shprehu bindjen se vitet e ardhshme do të sjellin një rilindje të re për Dibrën, edhe në aspektin demografik, duke shtuar se afërsia me Tiranën e bën zonën mjaft tërheqëse për banim dhe zhvillim.

Në fund, ai e cilësoi Dibrën si “jastëkun e gjelbër të kryeqytetit”, duke nënvizuar natyrën, potencialin turistik dhe mundësitë e mëdha për rritje ekonomike.

ME TE LEXUARAT