“Shqipëria ka më pak korrupsion”, Rama: Ne i hapëm luftë! PS i çliroi duart drejtësisë

“Shqipëria sot ka më pak korrupsion”. Kështu deklaroi kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, gjatë një aktiviteti për prezantimin e vendeve të lira të punës në sektorin publik. Kryeministri theksoi se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që i ka hapur korrupsionit luftë dhe i ka çliruar duart drejtësisë.
Rama: Të thuash që sot Shqipëria ka më shumë korrupsion se më parë do të thotë të flasësh përçart. Sot flitet më shumë për korrupsionin qoftë për shkaqe objektive, qoftë për shkaqe subjektive. Si asnjëherë më parë i është hapur korrupsionit luftë. Lufta i është hapur në radhë të parë politikisht nga një forcë qeverisëse që ka udhëhequr një reformë që ka çliruar duart e drejtësisë. Ashtu sikundër nuk mund të ketë korrupsion në rritje dhe të ketë rritje pesnionesh.
Kjo nuk do të thotë se nuk ka korrupsion, por është një proces transformues që pasqyrimin e ka jo te të dhënat apo pasqyrimi që i bën njëra palë apo pala tjetër, por te pasqyrimi objektiv i këtij transformimi nga Komisioni Evropian. Ka vetëm një raport që nuk bazohet në perceptime, por bazohet në një ndjekje rigoroze 7 ditë të javës. Ky është raporti i Komisionit Evropian.


