Anaid Kaloti rikthehet me akuza ndaj Gjestit dhe Eglit: “Çdo fjalë që kam shkruar është e vërtetë, ishim pesë dëshmitarë”
Anaid Kaloti ka reaguar për herë të dytë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj Gjestit dhe Egli Takos, duke publikuar një deklaratë të gjatë në rrjetet sociale, ku nuk i kurseu akuzat dhe ironinë për çiftin. Pas komenteve të Egli Takos, që i referohej si “një mbretëreshë që nuk i përgjigjet fshatarëve që hedhin gurë”, dhe reagimit të Gjestit që e cilësoi si “zemërprishur”, Anaidi i është rikthyer historisë që ai pretendon të ketë ndodhur në një hotel në Tiranë dhe e quan të vërtetë që “djeg”.
“Jetojmë në një botë ku njerëzit më sulmojnë me gjithçka kanë, vetëm e vetëm që të mos dëgjohet apo të deformohet e vërteta! Çdo gjë që kam shkruar ka ndodhur, prandaj ka djegur kaq shumë, dhe jo vetëm aq. Njerëzit sot janë bërë aq hipokritë, sa për hatër të interesave shesin gjithçka para publikut (pa harruar që këtu jemi në Amerikë). Vetë nuk kanë asnjë problem, thjesht duan të jetojnë dhe puthin mbi re, për pak lëmoshë, për pak famë!”, shkruan Kaloti në postimin e tij.
Ai deklaron se historia që ndau me publikun lidhet me një episod konkret, të ndodhur në hotel “Sheraton”, ku ishin të pranishëm pesë persona, përfshirë Gjestin, Eglin, vetë Anaidin, një shok dhe një menaxher. Ai pretendon se postimi i tij i mëparshëm për Big Brother-in kishte qenë pjesë e një këshillimi real që ua kishte dhënë çiftit kur ishin ende bashkë, por tani ata po e mohojnë për interesa personale.
Ironia nuk mungon as ndaj një videoje të shpërndarë nga Gjesti dhe Egli, ku ata shihen duke puthur bluzat e njëri-tjetrit. Kaloti e krahason këtë me një skenë nga filmi “Gjëme kurbeti”, duke shtuar me sarkazëm se “fabula ‘Kur ra fama nga fiku’ është më aktuale se kurrë”.
Anaidi ka një koment edhe për përfshirjen e tij në Big Brother dhe për dinamikat pas daljes nga programi. Ai nënkupton se ka qenë pikërisht Gjesti ai që e ndihmoi të kalonte në versionin shqiptar të spektaklit pas pjesëmarrjes në atë të Kosovës: “Ti më more nga kazani i plehrave që më hodhën në Kosovë dhe më solle në Tiranë të fitoja Big-un se ishte më e lehtë për ty.”
Më tej, ai thekson se ka qenë gjithmonë mbështetës i Gjestit dhe nuk ka kërkuar asgjë në këmbim, përkundrazi, ka mbuluar shpenzimet dhe ka qëndruar pranë tij pa interes: “Sa herë dole injorant apo hipokrit në ekran, isha unë që të mbuloja, sepse ti besoje se në Kosovë nuk more atë që meritoje. Të ndihmova që të jesh ky që je sot, pa asnjë interes, madje me shpenzimet e tua, nuk lejova askënd nga shokët e mi të fusë dorën në xhep. Kurse unë qenkam zemërkeq, dhe ti je zemërmirë.”
Për fund, Kaloti ironizon faktin që në vitin 2025 ende ka çifte që “puthin bluza për ndjenjë”, duke përmendur me sarkazëm edhe inteligjencën artificiale: “Unë kisha parë çifte që putheshin nga telefoni, por çifte me bluzë në 2025… vetëm ChatGPT mund të trillojë histori kaq dobët.”
Ky është një nga reagimet më të forta dhe të drejtpërdrejta të Anaidit deri tani, duke zbuluar më shumë prapaskena dhe pretendime që nxisin diskutime të reja mes ndjekësve dhe fansave të ish-banorëve të reality show-t.