FOTO/ Harry Styles bën bujë në SNL/ Këngëtari i jep puthjen surprizë komedianit në skenë

Harry Styles ishte prezantues dhe i ftuar muzikor në episodin e 14 marsit të emisionit të njohur Saturday Night Live, ku interpretoi dy këngë nga albumi i tij i ri.
Gjatë monologut hapës, artisti 32-vjeçar bëri shaka me akuzat e mëparshme për “queerbaiting” — një term që i referohet përpjekjes për të tërhequr publikun LGBTQ në mënyrë sipërfaqësore ose të diskutueshme.
Styles kujtoi paraqitjen e tij në emision në vitin 2019, kur veshjet dhe stili i tij shkaktuan debat në rrjete sociale.


“Disa njerëz më akuzuan për diçka që quhet ‘queerbaiting’. Por a ju ka shkuar ndonjëherë ndër mend se… ndoshta nuk dini gjithçka për mua?”, tha ai me humor.
Më pas, momenti më i komentuar erdhi kur në skenë u shfaq aktori i SNL, Ben Marshall. Pas një shkëmbimi batutash, Styles e tërhoqi drejt vetes dhe e puthi në skenë, duke shtuar me ironi: “Ja pra, kjo është queerbaiting.”
Gjatë episodit, këngëtari interpretoi edhe dy këngë nga albumi i tij i katërt studio Kiss All the Time. Disco, Occasionally, i publikuar më 6 mars, duke performuar “Dance No More” dhe “Coming Up Roses”.
Në monolog ai bëri edhe shaka për titullin e albumit, duke treguar se e kishte marrë pasi kishte bërë një kërkesë në ChatGPT për “frazen më italiane që ekziston”./ORA


