“Olen Çesari rikthehet me tri netë koncertesh në Tiranë: ‘Ja pse do të jetë spektakël i çmendur

Showbiz

“Olen Çesari rikthehet me tri netë koncertesh në

Virtuozi i violinës, Olen Çesari, ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ditën e sotme (8 prill), për të folur më gjerë në lidhje me koncertin e tij në Pallatin e Koncerteve, në Tiranë, më 9, 10 dhe 11 prill.

Koncerti i tij vjen në tri netë radhazi, si një bashkëpunim me International Clandestine Orchestra, dhe premton një spektakël të vërtetë nën një atmosferë fantastike, duke përfshirë zhanre të ndryshme muzikore, nga kryeveprat klasike te ritmet ballkanike dhe latine. Pjesë e programit do të jenë gjithashtu këngë të njohura botërore, si dhe kompozime të reja të Olen Çesarit.

“Këtë herë i gjithë repertori është ndryshe, edhe të ftuarit janë ndryshe. Me vete kam një pjesë të ansamblit që do të shoqërojë Roland Çenkon, që është një moment i folklorit shqiptar. Do të kem kantautorin, dishepullin apo pasardhësin e Paolo Conte-s, Enrico Giaretta, një super artist që është edhe pilot. Pastaj kam një mik shumë të mirë, që është gjigand në Europë, Dren Abazi. Kam gjithashtu nga Ekuadori Carlo Paz dhe, për mendimin tim, qershia mbi tortë është Zyliha Miloti. Është gjigande dhe ka një zemër fantastike… Kur shkova t’i kërkoja këtë gjë, ishte si t’i kërkoja dorën dhe, kur më tha ‘po’, gati u përlota”, u shpreh artisti.

Ai bëri të ditur se për këtë koncert punohet që prej muajit nëntor të vitit të kaluar dhe se kompozimet janë të gjitha të reja dhe të padëgjuara më parë. Çesari u shpreh i indinjuar që dy këngë nga skaleta dolën më herët pa dëshirën e tij, si “Sweet Dreams” dhe “Il Padrino”, pasi, sipas tij, programi duhet të mbetet surprizë për publikun.

“Di përmendësh çdo notë që luan secili nga orkestra. Është një lloj çmendurie, por kështu është: ose e bën çdo gjë me detaje, ose më mirë mos e bëj fare… Koncerti do të jetë i çmendur!”, theksoi virtuozi.

Sipas Olen Çesarit, ky do të jetë koncerti i fundit përpara një shkëputjeje, kohëzgjatja e së cilës nuk dihet ende, ndaj ai premton një përvojë të paharrueshme për publikun./tvklan

ME TE LEXUARAT