3 elementët që tregojnë se një marrëdhënie është ndërtuar për të zgjatur

Të gjithë duam të besojmë se marrëdhënia jonë është e destinuar të zgjasë. Edhe pse askush nuk mund ta dijë me siguri se çfarë rezervon e ardhmja, ekspertët e marrëdhënieve thonë se ekzistojnë disa tregues të qartë që mund të tregojnë nëse një lidhje ka potencial për të qenë afatgjatë.
Respekti, dashuria dhe vlerësimi janë baza e çdo marrëdhënieje të shëndetshme, por sipas specialistëve, janë tre elementë që luajnë një rol vendimtar për ta mbajtur një çift bashkë për vite me radhë.
Besimi konsiderohet themeli i një marrëdhënieje të fortë. Megjithatë, ndonjëherë ai nuk është aq i pranishëm sa mendojmë. Ekspertja e marrëdhënieve Kimberly Hershenson thekson se të jesh i hapur dhe i sinqertë me partnerin kërkon ndjeshmëri dhe guxim.
Kur një partner zgjedh të ndajë mendimet, shqetësimet apo përvojat e tij më personale, është e rëndësishme që ky besim të mos thyhet. Besimi nuk lidhet vetëm me rrëfimet e përditshme apo historitë e së kaluarës, por edhe me ndjenjën e sigurisë që partneri nuk do t’ju zhgënjejë.
Në marrëdhëniet afatgjata, çiftet shpesh zhvillojnë mënyrat e tyre unike të komunikimit. Megjithatë, sipas ekspertit Eric Hunt, shumë çifte kanë vështirësi të shprehin nevojat dhe ndjenjat e tyre më të thella.
Komunikimi i dobët mund të çojë në keqkuptime dhe konflikte të vazhdueshme. Ndërsa çiftet që flasin hapur dhe sinqerisht me njëri-tjetrin arrijnë të kuptojnë më mirë nevojat e partnerit dhe të forcojnë lidhjen mes tyre.
Me kalimin e kohës, partnerët fillojnë të kuptojnë më mirë njëri-tjetrin: çfarë i bën të lumtur, çfarë i shqetëson dhe si e përjetojnë dashurinë. Çdo person e shpreh dhe e përjeton dashurinë në mënyrën e vet, prandaj kuptimi i këtyre dallimeve është thelbësor për një marrëdhënie të shëndetshme.
Terapisti Jim Seibold shpjegon se kur partnerët arrijnë të kuptojnë nevojat emocionale të njëri-tjetrit, bëhet më e lehtë të tregojnë kujdes dhe dashuri në mënyrën që tjetri e ndjen dhe e vlerëson.
Fundja, një marrëdhënie e qëndrueshme nuk ndërtohet vetëm mbi ndjenjat, por mbi mënyrën se si dy njerëz zgjedhin të komunikojnë, të besojnë dhe të kuptojnë njëri-tjetrin çdo ditë./ORA


