“Nuk ke qenë kurrë aty për mua”/ Frazat më të dhimbshme që fëmijët e rritur u thonë sot prindërve të tyre

Marrëdhënia mes prindërve dhe fëmijëve nuk bëhet gjithmonë më e lehtë me kalimin e viteve. Për shumë familje, plagët emocionale të së kaluarës vazhdojnë të ndikojnë edhe kur fëmijët janë tashmë të rritur.
Sot gjithnjë e më shumë të rinj po flasin hapur për mënyrën si e kanë përjetuar fëmijërinë dhe raportin me prindërit. Fraza si “Nuk ke qenë kurrë aty për mua”, “Nuk ndihem i dashur nga ti” apo “Do doja të më kishe rritur ndryshe” po dëgjohen gjithnjë e më shpesh në bisedat familjare.
Sipas specialistëve të marrëdhënieve familjare, këto diskutime janë të vështira dhe të dhimbshme për të dyja palët, por në shumë raste konsiderohen të nevojshme për të kuptuar plagët emocionale dhe për të ndërtuar marrëdhënie më të shëndetshme.
Një tjetër faktor që po rëndon raportet familjare janë edhe vështirësitë ekonomike. Shumë të rinj përballen me borxhe, qira të larta dhe kosto të papërballueshme jetese, duke i detyruar shpesh të rikthehen në shtëpinë e prindërve.
Për pasojë, fjali si “Jam i mbytur në borxhe” apo “Duhet të kthehem të jetoj në shtëpi” janë bërë pjesë e realitetit për shumë familje.
Në disa raste, tensionet shkojnë deri aty sa fëmijët zgjedhin të mbajnë distancë nga prindërit, madje edhe në momente të rëndësishme të jetës së tyre, si martesat apo rritja e fëmijëve.
Psikologët theksojnë se jo çdo njeri e përjeton dashurinë në të njëjtën mënyrë dhe se dëgjimi pa paragjykim mbetet një nga elementët më të rëndësishëm për të ruajtur marrëdhënien mes prindërve dhe fëmijëve të rritur.


