Avokati Çela: Belinda Balluku rrezikon deri në 12 vite burg, nëse SPAK ...

Avokati Endri Çela ka komentuar në një intervistë televizive çështjen që lidhet me hetimet ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke sqaruar edhe skenarët e mundshëm ligjorë në varësi të akuzave që mund të provohen nga SPAK.
Sipas Çelës, nëse provohet korrupsioni pasiv i zyrtarëve të lartë, dënimi mund të shkojë deri në 12 vite burg, ndërsa në rast se vërtetohet edhe pastrimi i produkteve të veprës penale, masa e dënimit mund të arrijë deri në 15 vite.
Ai theksoi se hetimet e SPAK synojnë të provojnë nëse ka pasur përfitime pasurore nga ndikimi i paligjshëm në tendera, duke shtuar se këto përfitime nuk domosdoshmërisht duhet të jenë në emrin e personit nën hetim, por mund të jenë transferuar edhe te familjarë apo persona të lidhur me të.
Çela shtoi se kualifikimi i veprës penale varet nga provat që do të sigurohen gjatë hetimit, ndërsa përmendi edhe afatet ligjore të procedurës penale, që në raste të caktuara mund të zgjasin deri në tre vite.
Ndërkohë, në kuadër të hetimeve për këtë çështje, janë kryer kontrolle të autorizuara nga GJKKO dhe janë sekuestruar sende të ndryshme, përfshirë telefona dhe dokumente, si dhe janë lëshuar letërporosi jashtë vendit nga SPAK. Hetimet vijojnë.
“Deri tani akuza që ka Balluku është ‘ushtrimi i ndikimit të paligjshëm’. Me veprimet përkatëse të SPAK, kërkohet të provohet fakti që përveçse ti ke ushtruar në mënyrë të paligjshme ndikimin për ta fituar një nga kompanitë përkatëse një tender të caktuar, ke patur edhe përfitim pasuror. Kjo do të ndryshonte kualifikimin ligjor të veprës penale. Nga ushtrimi i ndikimit të paligjshëm, nëse vërtetohet që ke përfituar, kalon në korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Pra veprimet janë me këtë qëllim, për të provuar ka apo nuk ka përfitim në raport me veprën penale për të cilën akuzohet Balluku.
Pasuria që mund të jetë përfituar në mënyrë të paligjshme, jo detyrimisht mund të ketë kaluar në emër të Ballukut, por mund të ketë kaluar në emër të personave të tjerë që mund të kenë lidhje me të, që mund të jenë familjarë, ose persona me lidhje të afërta.
Prokuroria mund të zgjasë afatet kur ka arsye të caktuara që nuk lejojnë përfundimin e hetimeve në kohë. Përshembull kur duhet të kryhet një akt-ekpertimi, etj. Në momentin që regjistrohet vepra penale, afatet maksimale të hetimeve janë 3 vite. S’mund të zgjasë më shumë se 3 vite. Do të varen cilat do të jenë akuzat e SPAK nëse do të provohet kjo. Mund të shkojmë në vepra penale që shkojnë deri në 12 vite burg, nëse flasim për korrupsionin me pasoja të rënda, apo edhe më shumë nëse flasim për pastrim të produkteve të veprës penale. Pastrimi i produkteve të veprës penale në bashkëpunim shkon deri në 15 vite”, tha mes të tjerash Çela.


