Biseda në DEA dhe FBI, kreu i SPAK, Altin Dumani tregon me kë u takua në SHBA
Pas disa dtesh me debate dhe hamendesime mbi qendrimin e tij ne SHBA, SPAK ka publikuar dy njoftime ne lidhje me takimet qe Altin Dumani ka pasur atje.
Drejtuesi i SPAK, z.Altin Dumani me ftesë të zyrtarëve të qeverisë amerikane zhvilloi takime në SHBA
WASHINGTON D.C – Në cilësinë e Drejtuesit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z.Altin Dumani zhvilloi takime të nivelit të lartë gjatë vizitës zyrtare në Washington D.C, në Shtetet e Bashkuara, më 2 dhe 3 shtator.
Gjatë takimeve me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për të goditur organizatat ndërkombëtare kriminale, për të ndaluar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.
Z.Dumani shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe theksoi rëndësinë e këtij partneriteti strategjik.
Drejtuesi i SPAK mori pjesë në Konferencën e DEA-s në SHBA, më 26-28 Gusht
NASHVILLE-TENNESSEE – Me ftesë të Agjencisë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA), Drejtuesi i SPAK, z.Altin Dumani mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët, e cila u zhvillua në Nashville të Tennessee më 26-28 Gusht.
Konferenca e titulluar, “Uniteti global për një të ardhme më të sigurt: Forcimi i aleancave kundër krimit transnacional” , u përshëndet nga Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, znj. Pamela J. Bondi.
Gjatë konferencës, z.Dumani zhvilloi një takim me administratorin e DEA-s, z.Terrance Cole, ku u vlerësua bashkëpunimi ekzistues në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe rëndësia e vazhdimit dhe zgjerimit të tij në të ardhmen.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pati takime edhe me drejtues të agjencive të rëndësishme të zbatimit të ligjit të vendeve pjesëmarrëse në konference, me të cilët diskutoi mundësinë e krijimit të urave të komunikimit si edhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, për të luftuar trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.