“Do të të ther me thikë!”- Hajet Braçe denoncon: Vëllai më ka marrë tokën! Kemi të dy dokumente pronësie

Aktualitet

“Do të të ther me thikë!”- Hajet Braçe

Në emisionin investigativ “Tak Fak” në News24 është paraqitur një denoncim nga shtetasi Hajet Braçe, i cili pretendon se një pjesë e tokës së tij i është grabitur nga i vëllai, Bashkim Braçe.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zharrës të Fierit, ndërsa të dy vëllezërit janë të pajisur me dokumentacion përkatës pronësie; Hajeti disponon AMTP, ndërsa Bashkimi certifikatë pronësie.


Sipas Hajetit, Bashkimi ka lëvizur kufijtë e parcelës së tij, duke hyrë rreth 1 dynym në tokën që i përket atij. Për këtë arsye konfliktet mes dy vëllezërve kanë nisur prej kohësh.

Hajeti shprehet se është ankuar vazhdimisht, pranë Bashkisë Patos. Sipas tij, disa kohë më parë, një ekip topografësh të Bashkisë, ka kryer matjet dhe ka konstatuar mungesën e një pjesë toke në parcelën e tij, po ata nuk kanë përpiluar një procesverbal.

Ndërkohë, Bashkimi pretendon se toka e tij është e rregullt dhe nuk ka asnjë metër më shumë, apo më pak nga sa i takon, edhe pse për mikrofonin tonë, pohon që kur u bë matja toka e vëllait doli mangët.
Hajeti tregoi kufijtë e tokës së tij, si dhe pjesën që ai pretendon se i është marrë nga vëllai.

Më pas emisioni shkoi në banesën e z. Bashkim Braçe. Debati mes dy vëllezërve zgjati afro 30 minuta dhe u shoqërua me akuza të ndërsjella, ofendime, përplasje fizike dhe deri diku edhe kërcënime të tilla si ‘Hajeti i thotë Bashkimit ‘unë të ther me thikë’, apo sharje si ‘mut muti, zagar, shporru. Hajeti që kap karrigen, në oborrin e të vellait, për ta goditur. Në konflikt u përfshi, herë pas here, edhe bashkëshortja e Bashkimit.


Gjatë debatit, Bashkimi pranoi se nuk kishte lejuar kryerjen e matjeve në parcelën e tij dhe u largua. Megjithatë, asnjëra palë nuk u tërhoq nga pretendimet e veta.

Në lidhje me konfliktin mes dy vëllezërve, Bashkia Patos pranon se nuk ka mundur të kryejë matje të plota për shkak të refuzimit të njërës palë.

Në një prononcim për emisionin “Tak Fak”, drejtori i Zhvillimit të Ekonomisë në Bashkinë Patos, Çajup Refataj, dhe përgjegjësi i sektorit të bujqësisë, Donald Xhafa, deklaruan se gjatë verifikimeve të kryera në parcelën e Hajet Braçes është konstatuar një mungesë prej rreth 400 metra katrorë tokë.

Megjithatë, vetë Hajet Braçe kundërshton këtë rezultat, duke pretenduar se sipërfaqja e munguar është rreth 1 dynym. Për parcelën e Bashkimit, punonjësit e bashkisë thanë se nuk kanë mundur të kryejnë matje, pasi ai nuk ka lejuar hyrjen në pronën private.

Ata shtuan se për matjet e kryera nuk është hartuar procesverbal, pasi toka ende nuk është azhornuar dhe ekziston një mbivendosje me pronat e Albpetrolit, pretendim që edhe ky kundërshtohet nga Hajeti.

Sipas përfaqësuesve të bashkisë, matje të reja mund të kryhen vetëm gjatë procesit të azhornimit të tokës dhe nëse Bashkimi bie dakord të lejojë hyrjen në parcelën e tij.

Në të kundërt, ata sugjeruan ndjekjen e rrugëve ligjore, përmes kallëzimit në polici ose hapjes së një procesi gjyqësor.

Pas largimit nga bashkia, tentuam sërish të komunikonim me z. Bashkim, por ai refuzoi të fliste, duke mbyllur derën dhe deklaruar: “Nuk kam më çfarë të flas me ju. Unë kam hapur gjyq ndaj vëllait tim.’
Lacio, nis puna për trajnerin e ri! Ja kandidatët që pritet të zëvendësojnë Sarrin

ME TE LEXUARAT