Durrës, banorë e biznese kundër projektit për bulevardin “Vollga”, padi në SPAK për disa ministra
Një përfaqësi e banorëve dhe bizneseve që operojnë përgjatë bulevardit “Epidamn” në Durrës iu drejtuan Prokurorisë së Posaçme, ku ngritën padi ndaj dy ish-ministrave të Kulturës Elva Margariti dhe Blendi Gonxhja, dy përfaqësuesve të Fondacionit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim dhe 3 studiove të projektimit që kanë hartuar dhe miratuar projektin “TID”, nga zbatimi i së cilit kërkohet të shpronësohen 74 familje.
Padia nga banorët është ngritur për “Falsifikim të materialeve” dhe për një sërë shkeljesh të tjera, pasi sipas tyre, nuk është bërë një konsultim publik për tjetërsimin e pronës.
“Në 2022 është bërë një leje e parë e projektit “TID”, dhe në 2024 është bërë një leje e dytë ku numri i pronarëve ka shkuar nga 100 në 74 pronarë banesashd dhe biznesesh. Ndryshimi i numrit tregon se është bërë në mënyrë selective”, tha arkitektja Entela Koja.
Arkitektja dhe urbanistja Entela Koja bën të ditur se bashkë me pronarët e tjerë të banesave dhe bizneseve po përgatisin materialin për pezullimin e projektit “TID”, plani për zbatimin e së cilit është ndryshuar disa herë në vite të ndryshme, duke selektuar pronat që preken.
“Problemet e mëdha që ka projekti, është interpretimi në mënyrë klienteliste kë ka dashur pronë të papërshtatshme, me projekte të gabuara për t’i cuar në prishje. Ka shpronësime të trojeve private për t’i kthyer në park publike.
Një pjesë e mirë e tyre këto i kanë banesa të vetme. Shpronësohen dhe kthehen në të pastrehë dhe gjëja më qesharake është vlera qesharake, kur këto banorë duhet të pyeteshin nga bashkia”, tha arkitektja Entela Koja.
Banorët e bulevardit “Epidamn” bëjnë të ditur se kanë pasur letërkëmbime me AADF-në, përfaqësues të ambasadës Amerikane dhe disa institucione shqiptare, por nuk kanë gjetur zgjidhje. Ata kanë protestuar disa herë edhe përpara Bashkisë Durrës, që është bashkëpunëtore në këtë projekt, por çështja vetëm është zvarritur.
Projekti “TID” synon “Restaurimin dhe rikualifikimin urban të zonës”, që prek Parkun Arkeologjik në Durrës.
BURIMI BalkanWeb