Dy persona rrezikuan mbytjen me jet ski në det në Shëngjin

Policia ndihmon në kohë reale dy persona në rrezik në det
Rreth orës 15:00 të datës 28.06.2025, Salla Operative e Policisë mori njoftim se, përballë plazhit “Rana e Hedhun”, një mjet lundrues kishte pësuar defekt dhe, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, ishte larguar nga bregu, duke rrezikuar jetën e dy shtetasve që ndodheshin në bord.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, u angazhuan me mjet lundrues dhe Jet Ski për ofrimin e ndihmës së menjëhershme.
Falë reagimit të shpejtë dhe veprimeve të koordinuara, mjeti lundrues u tërhoq nga mjeti i Policisë Kufitare deri në portin e Shëngjinit. Dy shtetasit që ndodheshin në bord u nxorën në tokë në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia Kufitare dhe Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë vijojnë angazhimin me përkushtim për garantimin e sigurisë në hapësirat ujore dhe tokësore, si dhe për ofrimin e ndihmës ndaj pushuesve dhe qytetarëve, në çdo rast emergjence.