I plasi granata në mënyrë të pakontrolluar dhe u plagos bashkë me shokun, procedohet penalisht i riu në Tepelenë

Ka marrë një tjetër rrjedhë incidenti i ndodhur para dy ditësh, kur dy të rinj u plagosën për shkak të shpërthimit të papritur të një granate në fshatin Mamaj, Tepelenë.
Ditën e sotme policia e Tepelenës ka zbuluar se arma ishte në posedimin e njërit prej të plagosurve, që është proceduar penalisht nga policia për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Bëhet fjalë për shtetasin Xh. S., 29 vjeç.
NJOFTIMI I POLICISË – Tepelenë/Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më datë 21.04.2026, për dëmtimin e 2 shtetasve, nga shpërthimi i një lënde plasëse, afër një banese, në fshatin Mamaj, Tepelenë, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. S., 29 vjeç, banues në fshatin Mamaj, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas dyshohet se posedonte sasi fitili zjarrpërcjellës dhe municioni luftarak, që u gjet në magazinën afër banesës së tij, në fshatin Mamaj, ku dyshohet se shpërtheu aksidentalisht një sasi lënde plasëse dhe si pasojë u dëmtuan ai dhe shoku i tij, shtetasi L. Sh., banues në Memaliaj. Të dy të dëmtuarit vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.


