Sherr ekstrem në Itali/ 70-vjeçari ngre në ajër me eskavator sipërmarrësin shqiptar

Një konflikt i gjatë fqinjësor në Paese të Trevisos në Itali ka përshkallëzuar në një ngjarje të rrezikshme, ku një 70-vjeçar tentoi të godasë dhe më pas ngriti me kovën e një eskavatori fqinjin e tij 50-vjeçar me origjinë shqiptare.
Sipas mediave italiane, përplasja mes tyre kishte nisur prej vitesh për çështje prone dhe infrastrukturë. Në kulmin e debatit, i moshuari përdori eskavatorin dhe e ngriti viktimën rreth 3 metra mbi tokë, duke rrezikuar seriozisht jetën e tij.
Britmat e dëshmitarëve e detyruan të ndalonte, ndërsa më pas situata u përkeqësua edhe me ndërhyrjen e policisë, të cilën 70-vjeçari e sulmoi dhe kërcënoi, duke goditur edhe një efektiv.
Ai u arrestua dhe gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje” deri në seancën e radhës më 26 shtator. Konflikti mes dy fqinjëve vijon prej rreth dy vitesh dhe lidhet me kufij pronash dhe aksesin e mjeteve.


