Problematikat te Onkologjiku, Ministrja e Shëndetësisë: Po shkojmë drejt ngritjes së Institutit Kombëtar të Tumoreve!

Politikë

Problematikat te Onkologjiku, Ministrja e Shëndetësisë: Po

Buxheti për barnat në vitin 2026 do të arrijë në 19.5 miliardë lekë, me një rritje të veçantë për barnat onkologjike, sipas ministrisë së Shëndetësisë. Synimi është garantimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe zgjerimi i listës së trajtimeve për pacientët.

Ministrja deklaroi se rritja e fondit nuk është vetëm çështje financiare, por një angazhim për të siguruar trajtim pa ndërprerje për pacientët me sëmundje tumorale.

Ajo prezantoi gjithashtu reformën në shërbimin onkologjik, që synon kalimin nga një sistem i centralizuar drejt një modeli më të shpërndarë në të gjithë vendin. Në plan parashikohet ngritja e Institutit Kombëtar të Tumoreve dhe krijimi i një rrjeti kombëtar onkologjik sipas modeleve europiane.

Sipas saj, Instituti do të shërbejë si qendër reference, institucion kërkimor dhe akademik, si dhe do të koordinojë rrjetin e shërbimeve onkologjike në spitalet rajonale.

Në kuadër të reformës, janë përmendur edhe: zgjerimi i njësive të kimioterapisë në rrethe, rritja e kapaciteteve në QSUT, instalimi i pajisjeve të reja për radioterapi, si dhe përgatitja për shërbimin PET-CT.

Ministrja theksoi gjithashtu përmirësime në protokollet e trajtimit, bashkëpunim ndërkombëtar dhe rritje të treguesve shëndetësorë, përfshirë rritjen e mbijetesës dhe uljen e vdekshmërisë nga kanceri në dekadën e fundit.

ME TE LEXUARAT