Kosova shpall 24 prillin ditë zie, në nder të akademikut Rexhep Qosja

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se e premtja, 24 prill 2026, është shpallur Ditë zie shtetërore në nder të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja.
Qosja u nda nga jeta këtë të enjte dhe u përcoll në një ceremoni private, ku morën pjesë vetëm familjarët e tij të afërt. Sipas familjes, nuk do të priten vizita dhe nuk do të organizohen homazhe publike, në respekt të amanetit të tij.
Me një kontribut të gjerë në letërsinë dhe studimet shqiptare, Rexhep Qosja është autor i mbi 30 veprave, përfshirë studime letrare, romane dhe publicistikë. Ai ka qenë gjithashtu aktiv në jetën publike dhe politike të Kosovës, duke u vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit” në Shqipëri.


