Ish-polici i Njësisë Speciale ndalohet në Serbi, avokati kërkon reagim nga Ministria e Jashtme

Kosovë&Rajon

Ish-polici i Njësisë Speciale ndalohet në Serbi, avokati

Arbnor Spahiu, një ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Kosovës, është ndaluar dje nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë. Lajmin e ka bërë me dije avokati Arianit Koci.

Sipas tij, Spahiu është pyetur për rastin e sulmit terrorist serb në “Banjskë”. Avokati e konsideron ndalimin të padrejtë dhe të pakuptimë, sepse prej tre vitesh ai është tërhequr nga Policia e Kosovës dhe jeton në Gjermani. Rrjedhimisht, s’ka lidhje as me “Banjskën”.

“Qytetarët e Kosovës po ndalohen dhe po arrestohen në Serbi. Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative (NjSO), është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë.

Edhe pse ka tri vite që nuk është më pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani, ai është marrë në pyetje për rastin “Banjska”. Përsëris: nuk ka qenë duke punuar në polici në atë kohë. Ky rast është serioz dhe nuk është i izoluar”, shkruan avokati Arianit Koci.

Ai thekson se është angazhuar në mbrojtje t ëish-oficerit të Njësisë Speciale të Kosovës dhe paralelisht kërkon reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra Ndërlidhëse në Beograd dhe të gjitha institucionet përgjegjëse.

“Ky është një sinjal i qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës: kalimi nëpër Serbi nuk është pa rreziqe”, vijon ai, duke shtuar “Sepse heshtja e sotme e nxit Serbinë të vazhdojë me ndalime të tjera. Dhe asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të përballet i vetëm me një padrejtësi të tillë.”

ME TE LEXUARAT