Masë e rreptë disiplinore për avokatin e ish-Presidentit Meta nga Drejtoria e Burgjeve! Kapet duke...
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kërkuar marrjen e një mase disiplinore ndaj avokatit Kujtim Cakrani, përfaqësues ligjor i Ilir Metës.
Sipas autoriteteve, Cakrani ka shkelur rregullat e sigurisë duke i mundësuar ish-presidentit një telefonatë nga qelia përmes telefonit të tij personal, gjatë një transmetimi live në një studio televizive.
Drejtori i Burgjeve, Klevis Qosja, i është drejtuar zyrtarisht Dhomës Kombëtare të Avokatisë, duke theksuar se ngjarja ka ndodhur në tetor të vitit të kaluar dhe përbën një shkelje të rëndë të protokolleve të komunikimit në institucionet e vuajtjes së dënimit.
“Sipas ligjit “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve dhe të të Paraburgosurve”, leja për realizimin e telefonatave, takimeve apo formave të tjera të komunikimit për një të paraburgosur, duhet të miratohet paraprakisht nga prokurori i çështjes”, thuhet në shkresë, gjë që sipas tij nuk është bërë.
“Për rastin konkret Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve rithekson se nuk ka dhënë asnjë autorizim për realizimin e komunikimit në fjalë. Veprimi i ndërmarrë përbën një ndërhyrje të papranueshme në funksionimin normal të IEVP dhe cenon rëndë rendin dhe autoritetin e institucionit të paraburgimit.
Pra, krijon një precedent të rrezikshëm, duke shkelur në mënyrë të hapur dispozitat e nenit 49, të ligjit nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, dhe normat që rregullojnë ushtrimin e detyrës së avokatit me integritet, etikë dhe përgjegjësi”, theksohet në shkresë.