Ndërtime pa leje në Sarandë/ Policia: Arrestohen 4 efektivë policie dhe 8 punëtorë

Policia e Shtetit ka vijuar me një operacion të gjerë në Sarandë lidhur me ndërtimet pa leje në zonat bregdetare, ku janë ndaluar disa punonjës policie dhe janë marrë masa disiplinore ndaj të tjerëve.
Sipas njoftimit zyrtar, pas denoncimeve dhe verifikimeve në terren për një ndërtim të paligjshëm në lagjen nr. 1 në Sarandë, Policia e Vlorës arrestoi në flagrancë 8 persona që po kryenin punime në një objekt pranë vijës bregdetare, ndërsa një shtetase u shpall në kërkim si poseduesja e hapësirës ku po ndërtohej.
Pas veprimeve të thelluara të kryera në bashkëpunim me AMP-në, u bë ndalimi i punonjësve të policisë:
Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë;
Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve;
Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin;
Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.
Ndaj këtyre punonjësve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast.
Pas këtyre veprimeve, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra efektivët e përfshirë, ndërsa janë nisur procedurat për largimin e tyre nga radhët e policisë.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka bërë thirrje për denoncimin e çdo rasti paligjshmërie, duke theksuar se mbetet e vendosur ndaj çdo abuzimi me detyrën dhe shkeljeje të ligjit.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Vijojnë denoncimet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për paligjshmëritë e konstatuara në terren.
Pas informacionit të ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi, në lagjen nr. 1, Sarandë, ku në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre në ujë) kryheshin punime ndërtimi të paligjshme, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë arrestoi në flagrancë 8 shtetas që punonin në këtë objekt, si dhe shpalli në kërkim një shtetase që posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje.
Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, vijuan veprimet e thelluara për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjësit e policisë, të cilët nuk kishin kryer detyrën për moslejimin e këtij ndërtimi.
Pas veprimeve të thelluara të kryera në bashkëpunim me AMP-në, u bë ndalimi i punonjësve të policisë:
Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë;
Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve;
Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin;
Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.
Ndaj këtyre punonjësve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast.
Pas ndalimit të këtyre punonjësve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra katër punonjësit e policisë dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga Policia e Shtetit, për shkeljet e konstatuara, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në drejtim të zbatimit të ligjit, mbrojtjes së territorit dhe dëmtimit të imazhit të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për tu marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore
Policia e Shtetit falënderon, inkurajon dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën nga ana e punonjësve të policisë, si dhe çdo rast paligjshmërie që konstatojnë, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe profesional.
Gjithashtu, Policia e Shtetit është e vendosur të largojë nga radhët e saj cilindo që shpërdoron detyrën, besimin e qytetarëve dhe ligjin.


