Ndërtimi pa leje “shkrin” policinë e Sarandës/ Reagon ministri: Zero tolerancë për çdo abuzim

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas operacionit të zhvilluar në Sarandë, ku u arrestuan disa drejtues dhe punonjës policie të dyshuar për bashkëpunim me elementë kriminalë dhe shpërdorim detyre.
Në deklaratën e tij, Lamallari theksoi se në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për asnjë punonjës që shkel ligjin, abuzon me detyrën apo bashkëpunon me krimin, duke vënë theksin te mbrojtja e besimit të qytetarëve.
Ai përshëndeti operacionin e realizuar në Sarandë, ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Policia e Shtetit bashkëpunuan për arrestimin e efektivëve të dyshuar.
Sipas tij, ky operacion është pjesë e një procesi të vazhdueshëm për “pastrimin” e radhëve të policisë nga elementët që cenojnë ligjin dhe integritetin e institucionit, duke theksuar se raste të tilla nuk do të tolerohen.
Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, sipas ministrit, do të vijojnë me vendosmëri goditjen e çdo rasti abuzimi, nga ndërtimet pa leje deri te bashkëpunimi me grupet kriminale.
Në fund të reagimit, ai përgëzoi strukturat e përfshira në operacion dhe theksoi se “nuk do të ketë asnjë hap mbrapa” në këtë proces.
Postimi i plotë i Besfort Lamallarit
Në Policinë e Shtetit nuk ka dhe nuk do të ketë vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit, që abuzon me detyrën apo bashkëpunon me elementë kriminalë.
E përshëndes me respekt operacionin në Sarandë, ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe vetë Policia e Shtetit, bashkëvepruan për të arrestuar drejtues e punonjës policie të bërë njësh me shkelësit e ligjit.
Kjo provë vullneti për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element që cënon ligjin dhe besimin e publikut, nuk është e para dhe nuk do të jetë as e fundit.
Në çdo rast abuzimi, që nga symbyllja përpara ndërtimeve pa leje deri tek kompromisi me elementët kriminalë, reagimi do të jete me zero tolerancë. Efektivët që tradhtojnë popullin dhe abuzojnë me detyrën, do të identifikohen, goditen dhe përballen me drejtësinë.
Përgëzime dhe kurajo lidershipit të ri të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore dhe Policisë së Shtetit. Asnjë hap mbrapa!


