Një viktimë dhe 8 të plagosur/ E diela me aksidente, shkak shpejtësia dhe lagështira në rrugë

8 të lënduar dhe 1 viktimë. Është ky bilanci i deritanishëm si pasojë e aksidenteve rrugore të ndodhura në disa prej akseve të vendit këtë të diel.
5 qytetarë kanë mbetur të plagosur si pasojë e përplasjes së 2 automjeteve në rrugën e Arbërit, në aksin Bulqizë-Maqellarë.
Të lënduarit janë transportuar menjëherë në spitalin e Peshkopisë. Shpejtësia e lartë e automjeteve dhe lagështira në rrugë mendohet të kenë qenë edhe shkaqet e aksidentit.
Një viktimë është shënuar në Golem, teksa një 19-vjeçar ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit si pasojë e lagështirës në rrugë dhe ka aksidentuar një 56-vjeçare këmbësore, e cila më pas ka ndërruar jetë.
Ndërsa në Çërravë të Pogradecit, një çift të huajsh teksa udhëtonin me motor janë përplasur nga një automjet. Por fatmirësisht nuk kanë marrë dëmtime të rënda.
Edhe në qendër të Fierit, një automjet tip Mercedes ka përplasur një këmbësore në vijat e bardha, duke u bërë më pas shkak aksidenti edhe për një tjetër përplasje me një automjet pas tij.
Këmbësorja u transportua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Policia po heton shkaqet e aksidenteve të ndodhura këtë të diel, ndërsa si dyshime paraprake mendohet të kenë qenë shpejtësia e automjeteve dhe lagështira në rrugë.


