Shiste drogë edhe pse ishte në arrest shtëpie, arrestohet për herë të dytë shqiptari në Itali

Një shtetas shqiptar është arrestuar për herë të dytë nga policia italiane në Torino, pasi u kap me një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, të cilat i shiste ndërkohë që ndodhej në masën e arrestit shtëpiak.
Sipas autoriteteve italiane, nga kontrolli i kryer në banesën e tij u sekuestruan rreth 3.5 kilogramë kokainë dhe 61 gramë metamfetaminë. I arrestuari ishte nën arrest shtëpie pasi ishte dënuar më herët për vepra penale të lidhura me trafikun e drogës.
Hetuesit e njësisë “Flying Squad” kishin mbledhur informacione se shqiptari po vijonte aktivitetin e paligjshëm nga banesa ku po vuante dënimin, duke drejtuar, sipas dyshimeve, një rrjet të gjerë të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Policia bën me dije se i dyshuari ndjehej i sigurt për shkak të vendndodhjes së izoluar të banesës, e rrethuar me gardh të lartë dhe e ruajtur nga disa qen agresivë. Pas ndërhyrjes së forcave të rendit dhe kontrollit të banesës, u gjetën dhe u sekuestruan sasitë e drogës.
Kontrolle të mëtejshme u kryen edhe në një banesë të dytë në pronësi të tij, pranë shtëpisë ku ndodhej në arrest shtëpiak. Aty u zbuluan pajisje për përpunimin dhe paketimin e lëndëve narkotike, si dhe një makinë presimi me krik hidraulik, e përdorur për ngjeshjen e drogës.


