Spiropali nga Athina: Greqia të heqë ligjin e luftës! Çështja e detit? Të hapur për dialog sipas të Drejtës Ndërkombëtare

Nga Athina, në një deklaratë për mediat me homologun grek Giorgos Gerapetritis, Elisa Spiropali i kërkoi Greqisë që të heqë ligjin e luftës, duke thënë se duhet të shohin me sy nga e ardhmja.
Ministrja e Jashtme theksoi se Shqipëria dhe Greqia janë të dyja anëtare të NATO-s, dhe se “çdo referencë ligjore atavike nga Lufta e Dytë botërore” duhet të përfundojë. Ky ligj, theksoi ministrja, nuk përfaqëson realitetin e marrëdhënieve mes dy vendeve si aleate dhe miq.
“Edhe nga takimet e sotme më përforcohet bindja se ky potencial miqësie krijon momentin e duhur për të trajtuar të gjitha çështjet e ashtuquajtura të mbetura, si edhe ato aktuale, në mënyrë që të hapim sa më shpejt një kapitull të ri, duke e parë përfundimisht të shkuarën tonë me sytë e së ardhmes së përbashkët. Në këtë drejtim, ne duhet të nxisim komunikimin mes shoqërive tona, mjediseve akademike, grupeve të interesit, organizatave profesionale, studentëve. Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq.”, u shpreh Spiropali.
Ministrja u ndal edhe te çështja e detit, teksa tha se pala shqiptare është e gatshme për dialog sipas ligjit ndërkombëtar. Spiropali theksoi se Shqipëria udhëhiqet nga vlerat thelbësore të BE dhe respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare “për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon”.
“Shqipëria mbetet po ashtu e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin (përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare) në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ku palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv. Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon.”, u shpreh ajo.
Vlerësoi gjithashtu se riafirmuan mbështetjen e vendit fqinj për integrimin evropian të Shqipërisë. Spiropali tha se qeveria shqiptare pret nga Greqia që të përdorë peshën e saj politike për të avancuar në idenë e një hapësire të përbashkët evropiane, ku rajoni të trajtohet me peshë strategjike.
“Me presidentin dhe ministrin, mikun tim, mora rikonfirmimin për vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje deri në përfundimin e bisedimeve teknike të anëtarësimit të Shqipërisë që përkon edhe me Presidencën e ardhshme e Greqisë në BE në gjysmën e dytë të vitit 2027. Ndaj ndërkohë, ne duam të thellojmë dialogun, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ekspertizës teknike në përgatitje për një Presidencë sa më produktive, në raport me rajonin tonë, ku Greqia në krye të BE-së, do të jetë si të thuash “the adult in the room” për Ballkanin Perëndimor. Ne presim që Greqia të përdorë peshën e saj politike për të avancuar idenë e një hapësire të përbashkët evropiane, ku rajoni të trajtohet si një tërësi strategjike, në respekt dhe të meritave të gjithësecilit.”, shtoi ajo.
Për çështjen e pronave, Spiropali theksoi se “Aspektet historike ligjore dhe pronësore të qytetarëve dhe subjekteve shqiptare në Greqi u trajtuan hapur në kuadër të dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit dypalësh. Palët theksuan rëndësinë e një qasjeje graduale dhe realiste, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës dhe me frymën europiane, me qëllim forcimin e besimit reciprok dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve tona.”
Spiropali ndodhet në Athinë për një vizitë dy ditore zyrtare.


