Shqipëria mes përmbytjes dhe dëbores / Problematika të shumta hidrologjike dhe infrstrukturore nga Jugu në Veri

Aktualitet

Shqipëria mes përmbytjes dhe dëbores / Problematika të

Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës kanë përfshirë një pjesë të madhe të vendit, duke shkaktuar probleme të shumta hidrologjike dhe infrastrukturore.

Në Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë prezencë uji në Obot dhe Dajç, si dhe përmbytje tokash bujqësore në zonat Urrelat–Shirq. Rruga e Obotit mbetet e pakalueshme për mjetet e ulëta, ndërsa hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë.

Në Durrës, rreth 1 800 hektarë tokë bujqësore janë ende nën ujë në Sukth, Katund të Ri dhe Kënetë, ndërsa ekipet në terren po punojnë për funksionalizimin e shkarkuesve dhe çlirimin e akseve.

Në Dibër, dëbora ka krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe ka shkaktuar ndërprerje energjie. Qarkullimi në akset kryesore mbahet i kontrolluar, ndërsa në rrugët rurale po punohet për hapjen e aksesit.

Në Berat, prurjet e Osumit dhe Devollit kanë sjellë përmbytje tokash dhe prezencë uji në disa banesa, duke detyruar evakuimin e disa familjeve.

Ndërsa në Fier, dalja nga shtrati e lumenjve Seman dhe Shkumbin ka shkaktuar përmbytje të tokave dhe dëme në zona të banuara. Strukturat vendore janë në gatishmëri të plotë.

Në Korçë dhe Gjirokastër situata lidhet me rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime akseve, ndërsa dëbora ka arritur deri 20 centimetra në zonat malore.

Në veri, Thethi, Vermoshi, Qafë Thora dhe zona të tjera malore janë përfshirë nga dëborë deri në 1.2 metra, ndërsa orteqet kanë bllokuar segmente të rëndësishme rrugore.

Në qendër dhe jug, prurjet e lumenjve Shkumbin, Seman dhe Vjosë po monitorohen nga autoritetet. Në Thanasaj të Lushnjës janë përmbytur mbi 30 banesa, ndërsa në Mifol niveli i Vjosës ka përmbytur tregun.

Forcat e Armatosura dhe strukturat e emergjencave civile janë angazhuar në disa qarqe për evakuime, pastrim rrugësh dhe mbështetje të komuniteteve të prekura. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonat me rrezik deri në stabilizimin e situatës./ORA

ME TE LEXUARAT