Tatimet: 4.7 miliardë euro të ardhura në vit, 500 milionë më shumë se në 2024

Aktualitet

Tatimet: 4.7 miliardë euro të ardhura në vit, 500 milionë

Është publikuar raporti vjetor i Administratës Tatimore për vitin 2025, i cili tregon një rritje të ndjeshme të të ardhurave publike dhe përmirësim të performancës fiskale.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025 janë mbledhur mbi 4.7 miliardë euro të ardhura tatimore, ose 11.8% më shumë krahasuar me një vit më parë, duke sjellë rreth 500 milionë euro shtesë në buxhetin e shtetit. Në të njëjtën kohë, janë realizuar rimbursime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në vlerën rreth 262 milionë euro, me një rritje prej 13% krahasuar me vitin e kaluar.

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore, Ilir Binaj, në hyrje të raportit vlerëson se këto rezultate pasqyrojnë forcimin e ekonomisë dhe përmirësimin e administrimit fiskal, si dhe angazhimin e institucioneve në luftën kundër evazionit dhe ekonomisë informale.

Sipas strukturës së të ardhurave, TVSH-ja mbetet burimi kryesor i të ardhurave publike, duke zënë 33.5% të totalit. Pas saj renditet tatimi mbi të ardhurat personale me 29.4%, ndërsa tatimi mbi fitimin përbën 20.9%. Taksat e tjera, përfshirë taksën e qarkullimit, kontribuojnë me një peshë më të vogël në totalin e të ardhurave.

Raporti tregon gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë dorëzuar rreth 320 mijë deklarata tatimore për të ardhurat personale dhe të korporatave, një nga sezonet më të suksesshme sipas administratës.

Në përgjithësi, të dhënat e raportit tregojnë rritje të të ardhurave dhe përmirësim të mbledhjes së taksave, duke reflektuar tendencën pozitive të performancës fiskale gjatë vitit.

ME TE LEXUARAT