Tragjedia e Durrësit/ Fëmijët përcillen në banesën e fundit, policia shoqëron familjen e autorit

Një ditë pas aksidentit të rëndë në Durrës, familjet e dy fëmijëve 9 dhe 12 vjeç kanë hapur dyert e zisë, ndërsa të miturit, nxënës të shkollës “Demokracia”, janë përcjellë për në banesën e fundit mes dhimbjes së madhe të familjarëve dhe komunitetit.
Në homazhe kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të lartë të shtetit, përfshirë zëvendëskryeministren Albana Koçiu dhe kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako. “Le të respektojmë dhimbjen sot… Do të merren të gjitha masat”, u shpreh Koçiu gjatë vizitës së saj.
Ndërkohë, familja e të dyshuarit për aksidentin, Nikoll Radaçi, është larguar nga banesa dhe është shoqëruar nën masa sigurie nga policia, për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Hetimet kanë zbuluar se 57-vjeçari ka një histori shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor, përfshirë pezullime të lejes së drejtimit në vitin 2022 për tejkalim shpejtësie, si dhe gjoba të mëparshme për parakalime të gabuara. Banorët e zonës e përshkruajnë si një drejtues problematik, ndërsa njihej edhe me nofkën “Bisha”.
Pas ngjarjes, ai ka deklaruar në polici se nuk mban mend momentin e aksidentit. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit dhe me shpejtësi të lartë, gjë që është konfirmuar nga testi i kryer.
Radaçi po hetohet për shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe largim nga vendi i aksidentit. Ngjarja e rëndë ka rikthyer debatet për sigurinë rrugore dhe përgjegjësinë në qarkullim.


