Aksidenti tragjik në Durrës/ Reagon shkolla ku mësonin dy të miturit: Kujtimi i tyre do të mbetet gjithmonë i gjallë

Aktualitet

Aksidenti tragjik në Durrës/ Reagon shkolla ku mësonin  dy

Qyteti i Durrësit vijon të jetë i mbuluar nga dhimbja dhe trishtimi, një ditë pas aksidentit tragjik që i mori jetën dy fëmijëve të mitur dhe la një tjetër në gjendje të rëndë. Në vendin e ngjarjes janë mbledhur dhjetëra qytetarë, familjarë dhe bashkëmoshatarë për t’u dhënë lamtumirën e fundit viktimave.

Nxënës të shkollave të zonës kanë mbërritur me kurora lulesh në duar, ndërsa qytetarët kanë ndezur qirinj dhe kanë vendosur lule përgjatë rrugës ku ndodhi përplasja fatale.

Ndërkohë, ka reaguar edhe shkolla “Demokracia”, ku mësonin viktimat, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e dy nxënësve.

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të dy nxënësve të mitur, të cilët u ndanë nga jeta në mënyrë të padrejtë dhe të parakohshme. Kjo është një humbje e rëndë jo vetëm për familjet e tyre, por për gjithë komunitetin, shkollën dhe këdo që pati fatin t’i njihte.
Në këto momente të vështira, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve. Fjalët janë të pakta për të përshkruar dhimbjen, por lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë tragjedi të madhe.
Kujtimi i tyre do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat tona.
U prehshin në paqe.”, thuhet në reagimin e shkollës.

Aksidenti i rëndë ndodhi në zonën mes Spitallës dhe Durrësit të Ri, ku një automjet përplasi tre fëmijë që po luanin në rrugë.

ME TE LEXUARAT