Përplasje në Komisionin e Jashtëm/ Këlliçi akuzon për konflikt interesi, ministri Hoxha: S’më baltosni dot

Seanca është shoqëruar me debat të fortë mes opozitës dhe ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha, gjatë raportimit mbi ecurinë e negociatave për anëtarësimin në BE, raportin IBAR dhe çështje të tjera politike dhe diplomatike.
Deputeti i PD, Belind Këlliçi, ngriti pyetje mbi një konflikt të mundshëm interesi të ministrit, duke iu referuar një hetimi të SPAK për skandalin e AKSHI-t, ku sipas tij përmendet edhe një i afërm i Hoxhës.
Nga ana e tij, ministri Hoxha deklaroi se mbështet pa kushte institucionet e drejtësisë dhe se nuk ndërhyn në vendimet e tyre, duke theksuar se respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë.
Ai shtoi se nuk ka asnjë lidhje me çështjen në fjalë dhe se familjarët e tij nuk mund të përdoren për sulme politike.
Debati është ashpërsuar edhe më tej kur Këlliçi ka ngritur pretendime për mesazhe të publikuara më herët dhe qëndrime të Ministrisë së Jashtme, duke kërkuar sqarime mbi vërtetësinë e tyre.
Hoxha u përgjigj se qëndrimet zyrtare të institucionit nuk komunikohen përmes aplikacioneve private si WhatsApp apo Signal, por vetëm përmes kanaleve zyrtare të Ministrisë së Jashtme, duke i cilësuar deklaratat publike si të fabrikuara ose të keqinterpretuara.


