Vrasja e Bledar Dedjas, lirohet autori! Vëllai i viktimës: Na shkatërruan për herë të dytë!

Aktualitet

Vrasja e Bledar Dedjas, lirohet autori! Vëllai i viktimës: Na

Mbi një vit pas vrasjes së Bledar Dedjas, një 39-vjeçar shqiptar që u gjet i pajetë në një pyll në Paderno del Grappa më 21 janar 2024, familja e tij ka përjetuar dhimbjen edhe një herë.

Shkak është bërë lajmi për lirimin nga burgu të të riut 19-vjeçar që kishte pranuar autorësinë e krimit.

“Është sikur vëllain tim e kanë vrarë për herë të dytë. Kanë kaluar vetëm pak më shumë se 12 muaj dhe vrasësi është tashmë jashtë. Thonë se do të qëndrojë në një komunitet si pjesë e një prove. Kjo nuk është drejtësi”, shprehet me zemërim dhe dëshpërim Antim Dedja, vëllai i madh i viktimës.

Trupi i Bledarit u gjet mëngjesin e së dielës, më 21 janar 2024, në zonën e pyllëzuar të Via Dei Carpini.

“Të gjithë ishim shumë të shqetësuar. Gruaja e tij na telefonoi dhe na tha që nuk ishte kthyer në shtëpi. Herën e fundit që e pashë ishte të shtunën pasdite. Më tha se do të shkonte në punë. Për ne, ai ishte një baba i përkushtuar, një punëtor i ndershëm që me djersën e ballit kishte blerë një shtëpi. Kohët e fundit kishte disa debate me bashkëshorten, e cila mendonte të kërkonte divorc, por ne nuk dinim çfarë po ndodhte saktësisht”, rrëfen Antimi.

 “Ne ndërpremë edhe abonimin në TV me pagesë të prindërve tanë në Shqipëri që të mos mësonin të vërtetën. Nëna jonë është e shkatërruar, merr ilaçe, nuk fle dhe qan çdo natë. Unë jam në Australi me të tani dhe nuk di më çfarë të bëj”, shtoi ai.

Adoleshenti që pranoi vrasjen u lirua nga burgu dhe është vendosur në një qendër rehabilitimi për shkak të problemeve të shëndetit mendor dhe historisë së dhunës në familje.

“Nëse kishte probleme, duhej të shkonte në polici. Edhe sikur vëllai im të kishte bërë gabime në jetën e tij private, nuk e meritonte të vritej. Dhe tani, vrasësi është i lirë, ndërsa Bledari nuk mund të flasë për veten. Nuk është e drejtë”, deklaroi vëllai i viktimës.

"Fëmijëve të Bledarit u thamë se babai i tyre kishte një aksident. Ata nuk dinë asgjë për atë që ndodhi me të vërtetë. Dhe unë shpresoj që kurrë të mos e mësojnë,” përfundon Antim.

ME TE LEXUARAT