Vrau të bijën një vit më parë në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet për palestinezin

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për Fadi Alwan, 49-vjeçarin palestinez, dhe e ka dërguar në gjyq për vrasjen e vajzës së tij, 24-vjeçares Rayyan Alwan.
Ai do të përballet me akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese”, e cila parashikon dënimin me burgim të përjetshëm.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që i akuzuari të shpallet i larguar nga vendi, pas refuzimit të Libanit për ta ekstraduar në Shqipëri. Fadi Alwan ishte arrestuar në Liban më 23 prill 2025, por autoritetet libaneze nuk pranuan kërkesën për ekstradim, sipas një shkrese të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të datës 18 shtator 2025.
Babë e bijë kishin ardhur nga Gjermania në Tiranë në shkurt 2025. Vrasja ndodhi në apartamentin që ata kishin marrë me qira dhe u zbulua disa ditë më vonë nga pronarja, pasi Fadi Alwan ishte arratisur drejt Libanit.
Motivet e krimit mbeten të paqarta. Rayyan Alwan, nënë e tre fëmijëve, ishte divorcuar dhe të vegjlit jetonin në Liban me babanë e tyre. Sipas hetimeve, ajo kishte nisur një jetë të re në Gjermani dhe afrimi i saj me traditat perëndimore mund të ketë shkaktuar tensione me familjen. Vajza kishte bërë gjithashtu një denoncim në polici në Gjermani për shqetësimet e saj.
Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që edhe nëna e saj të ketë pasur dijeni për planin e vrasjes, por për këtë pistë ende nuk ka prova të mjaftueshme.


