Deputeti i njohur italian ndez zjarret: Ulje e dyshimtë e avionëve izraelitë në territor italian

Deputeti italian Angelo Bonelli ka kërkuar shpjegime urgjente nga qeveria e tij mbi uljen e disa avionëve izraelitë në Itali. Sipas Bonelli-t, tre avionë kanë fluturuar mbi Siçili dhe janë ulur në bazën e Sigonella-s.
Bonelli ngriti dyshime se avionët mund të jenë ulur për të spiunuar flotiljen që u nis nga Barcelona drejt Gazës, me qëllim të thyerjes së bllokadës.
“Kërkojmë shpjegime të menjëhershme nga qeveria italiane: Çfarë kanë ardhur të bëjnë këtu? Po spiunojnë flotilën apo po ngarkojnë materiale ushtarake?”, pyeti ai.
Deputeti njoftoi se të dyja hipotezat janë të papranueshme dhe do të kërkojë interpelancë parlamentare për këtë çështje.
Baza ku, sipas pretendimeve të Bonelli-t, u ulën avionët izraelitë, është baza ajrore detare Sigonella, e vendosur në brigjet juglindore të ishullit të Siçilisë. Misioni kryesor i bazës është mbështetja ajrore e operacioneve detare në Mesdhe dhe Afrikën e Veriut, dhe ajo shërben gjithashtu si qendër logjistike për forcat amerikane dhe NATO-s në rajon.