Lazerë, raketa hipersonike dhe një 'triadë bërthamore': Si Xi Jinping tregoi potencialin kinez (duke kundërshtuar 'diktatin' e Dengut)
Një spektakël ushtarak. Triumfi i përsosmërisë. Që nga momenti kur oficeri në komandë, duke qëndruar drejt nëpërmjet tavanit të hapur të limuzinës së tij Hongqi (Flamuri i Kuq), përshëndeti "shokun president" dhe mori miratimin: "Filloni!", parada i zbuloi botës se për çfarë është e aftë Kina post-maoiste.
Xi Jinping, me një buzëqeshje dashamirëse në fytyrë, gjithmonë në qendër të skenës, i shoqëruar nga aleatët, mori kështu kënaqësinë të kundërshtonte Deng Xiaoping, njeriun e hapjes dhe reformave që i paralajmëronte shokët e tij: "Mos tregoni kurrë hapur se për çfarë jemi të aftë!", dhe më në fund manifestoi ambicien e Republikës Popullore: të udhëheqë botën dhe të rifitojë shkëlqimin imperial.
Mjetet për të arritur qëllimin? Ekonomia, sigurisht. Nuk është rastësi që Dragoi është bërë fabrika universale, qendra e Rrugës së Re të Mëndafshit. Por mbi të gjitha, forca ushtarake. Xi Jinping vendosi dje që përgjatë bulevardit që ndan në dy pjesë Pekinin, të parakalonin edhe armët më moderne të krijuara nga gjeniu kinez.
Arma që ndoshta cari Putin do të dëshironte t’i përdorte në aventurën e tij ukrainase: duke filluar nga raketat hipersonike kundër-anije, të destinuara të përballojnë fuqinë detare (deri tani) të pathyeshme të Shteteve të Bashkuara. Quhen YJ-19 dhe, megjithëse nuk është e qartë nëse janë tashmë funksionale, do të ishin të afta të kapërcenin mbrojtjet e aeroplanmbajtëseve amerikane duke garantuar epërsinë në Paqësor.
Gjithashtu në fushën e Marinës luftarake, u shfaqën dy dronë nënujorë të konceptuar rishtas, të cilët mund të kishin një përdorim të kombinuar: mbikëqyrje të brigjeve kundërshtare nga distanca dhe aftësi për të goditur anijet nga larg, saktësisht si silurat.
Dhe pastaj ja ku janë dronët ajrorë me forma të papara dhe potencialisht të padukshëm për radarët, si modeli AJX002, një prototip që mund të pajiset me raketa të ngjashme me ato që përdoren në Perëndim.
Hapësirë e madhe iu dha raketave taktike dhe atyre ndërkontinentale të afta të mbartin koka bërthamore të shumëfishta: forcat e armatosura të Republikës Popullore disponojnë aktualisht, sipas studimeve, rreth 600 armë atomike, por arsenali i "fundit të botës" është në rritje të shpejtë me objektivin për të arritur barazinë strategjike me Shtetet e Bashkuara (dhe Rusinë).
Në paradë morën pjesë tanke të projektuara dhe ndërtuara tërësisht në Kinë: sipas ekspertëve, ato janë të pajisura me mbrojtje elektronike inovative dhe, në veçanti transportuesit e trupave mund të lëshohen nga avionë mallrash pas vijave të armikut.
Në këtë rast, kundërshtari më i natyrshëm është ushtria tajvaneze, e mbrojtur deri tani nga Ngushtica që ndan ishullin rebel nga kontinenti.
Në total, u parakaluan 11 produkte të industrisë së armatimeve kombëtare që nuk ishin parë kurrë më parë në publik, përfshirë një lazer ultra-modern të aftë të shkatërrojë satelitët spiun të armikut. Armët që kryesisht mbajnë një emër të zakonshëm, Dongfeng, Era e Lindjes: një metaforë e raporteve të forcës ndërkombëtare, tashmë të nënshtruara ndaj frymës së Kinës së re. Perëndimi është i paralajmëruar./Corriere della sera