"Eliminuam terroristin më aktiv në botë", Trump njofton vrasjen e numrit dy të ISIS-it në Nigeri

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi mbrëmjen e djeshme eliminimin e Abu Bilal al-Minuki, i cili sipas autoriteteve amerikane konsiderohej personi i dytë në hierarkinë globale të ISIS.
Sipas deklaratës së Trump, operacioni u realizua nga forcat amerikane në bashkëpunim me forcat ushtarake të Nigerisë pas një aksioni të koordinuar.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump e përshkroi al-Minukin si “terroristin më aktiv në botë”, duke thënë se ai u vra gjatë një operacioni të planifikuar me kujdes dhe të ekzekutuar nga ushtria amerikane dhe forcat nigeriane.
“Sonte, nën komandën time, forcat e guximshme amerikane dhe Forcat e Armatosura Nigeriane ekzekutuan pa probleme një mision shumë kompleks për të eliminuar terroristin më aktiv në botë”, shkroi Trump.
Ai shtoi se Abu Bilal al-Minuki, i cilësuar si zëvendëskryetari global i ISIS, besonte se mund të fshihej në Afrikë, por sipas tij agjencitë amerikane të inteligjencës kishin monitoruar lëvizjet e tij.
Presidenti amerikan theksoi se vdekja e tij përbën një goditje të rëndësishme për operacionet ndërkombëtare të ISIS, duke shtuar se ai “nuk do të terrorizojë më njerëzit e Afrikës dhe nuk do të ndihmojë në planifikimin e sulmeve kundër amerikanëve”.
Në fund të reagimit të tij, Donald Trump falënderoi publikisht qeverinë e Nigeria për bashkëpunimin në operacion.


