Erdogan kritikon Europën: BE ka nevojë për ne më shumë sesa ne kemi nevojë për të!

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se nevoja e Bashkimit Evropian për Turqinë është më e madhe sesa e kundërta, duke shtuar se kjo varësi pritet të rritet edhe më shumë në të ardhmen.
Duke folur pas një mbledhjeje të qeverisë, Erdogan kritikoi BE-në për atë që e cilësoi si një “strategji dritëshkurtër” ndaj Ankarasë. Sipas tij, Turqia ka një rol të rëndësishëm dhe ndikim të konsiderueshëm në disa institucione evropiane dhe në zhvillimet rajonale, veçanërisht në Lindjen e Mesme.
Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të vlerësojë më seriozisht rolin e Turqisë në stabilitetin rajonal dhe të mos e anashkalojë apo keqpërdorë atë. Erdogan theksoi gjithashtu se “një Evropë pa pjesëmarrjen e plotë të Turqisë nuk mund të jetë një faktor global”.
Në fund, presidenti turk e cilësoi Turqinë si “vendin më të fortë dhe më të qëndrueshëm në rajon”.


