Goditet rrjeti i trafikut të drogës në Spanjë! Sekuestrohen 40 ton kokainë, 20 persona të arrestuar

Policia spanjolle ka goditur një rrjet të madh ndërkombëtar trafiku droge, duke sekuestruar një sasi rekord kokaine gjatë një operacioni në Oqeanin Atlantik, pranë Ishujve Kanarie.
Operacioni është zhvilluar nga Garda Civile e Spanjës, e cila ndaloi një anije në ujëra ndërkombëtare dhe arrestoi rreth 20 persona që ndodheshin në bord.
Sipas autoriteteve, në anije janë gjetur mes 35 dhe 40 ton kokainë, një sasi që e konsideron këtë rast si një nga sekuestrimet më të mëdha në historinë e vendit.
Anija dyshohet se ishte nisur nga Freetown i Sierra Leones me destinacion Bengazin në Libi, ndërsa hetuesit besojnë se droga do të transferohej në anije më të vogla për t’u shpërndarë në tregun evropian.
Spanja mbetet një nga pikat kryesore hyrëse të kokainës në Evropë, për shkak të lidhjeve me Amerikën Latine dhe pozicionit të saj strategjik në Atlantik dhe Mesdhe.
Autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të rrjetit ndërkombëtar të trafikut të përfshirë në këtë operacion.


