“Si mund të flisni për hallet e popullit?!”, Berisha në Kuvend: Akuzon qeverinë për heqjen e subvencioneve të naftës për fermerët

Politikë

“Si mund të flisni për hallet e popullit?!”, Berisha

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër qeverinë gjatë seancës plenare të kësaj të hëne, duke u ndalur veçanërisht te subvencionet e naftës për fermerët.

Ai u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që, sipas tij, ka hequr mbështetjen për naftën në një periudhë kur çmimet e saj ishin në rritje, duke akuzuar qeverinë socialiste për braktisje të fermerëve dhe përkeqësim të situatës në fshat.

“Si mund të flisni për hallet e qytetarëve kur në kulmin e rritjes së çmimeve të naftës u hiqni fermerëve subvencionet? Kjo është politikë e falimentimit të tyre dhe e largimit nga vendi,” u shpreh Berisha, duke shtuar se fermerët shqiptarë po detyrohen të emigrojnë.

Ai krahasoi situatën me vendet e rajonit dhe Europës, duke pretenduar se atje fermerët përfitojnë subvencione të drejtpërdrejta për karburantin, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, mungon kjo mbështetje.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për keqmenaxhim të fondeve të IPARD-it, duke pretenduar se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk përfiton nga këto skema mbështetëse për bujqësinë.

ME TE LEXUARAT