Balla në Kuvend: Ndryshime në Kodin Penal pas aksidentit në Durrës, “të fortët e lagjes” të bëhen shembull nga Policia...

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur në Kuvend lidhur me aksidentin tragjik në Durrës ku humbën jetën dy të mitur, duke paralajmëruar ndryshime në Kodin Penal.
Ai u shpreh se ngjarje të tilla kërkojnë reagim të fortë ligjor dhe institucional, duke theksuar se masat aktuale, si heqja e pikëve të patentës, nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar tragjedi të ngjashme.
Balla kërkoi që në kuadër të rishikimit të Kodit Penal të forcohen ndëshkimet për drejtuesit e mjeteve që shkaktojnë pasoja të rënda, duke përmendur edhe nevojën për trajtim më të ashpër të rasteve të drejtimit të rrezikshëm.
Ai i bëri gjithashtu thirrje Policisë së Shtetit që të veprojë më fort ndaj personave problematikë në komunitet, të cilët i cilësoi si “të fortët e lagjes”, duke kërkuar kontroll më të shtuar ndaj tyre dhe ndëshkim shembullor.
Në vijim të fjalës së tij, Balla u ndal edhe te Reforma në Drejtësi, të cilën e cilësoi si një sukses, duke theksuar se për herë të parë në vend, të gjithë zyrtarët, pavarësisht bindjeve politike, përballen me drejtësinë në mënyrë të barabartë.
Ai mbrojti gjithashtu punën e institucioneve të drejtësisë dhe ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha, ndërsa hodhi poshtë akuzat e opozitës për çështje të ndryshme që u diskutuan në Kuvend.
“Në vijim të asaj që tha kolegu Braçe dhe duke e mbështetur plotësisht nevojën për të reflektuar të gjithë pa asnjë dallim, të majtë e të djathtë, socialistë dhe demokratë… Ngjarja e djeshme është një ngjarje që na kërkon ne të fillojmë të luajmë si zbatohen ligjet tona. Nëse ne do të mjaftohemi me heqjen e pikëve në patentë, kjo është e rëndë për ne. Në kushtet që jemi pranë rishikimit të Kodit Penal, Gjykata e Lartë e SHBA ka vendosur konceptin e vrasjes në kushtet e vetëbesimit të tepruar. Si koncept në rastet e këtyre. Z. Manja më shpjegoi dhe raste të tjera, dhe mendoj se përgjigja jonë në këtë rast do të jetë e menjëhershme, sa të kemi mundësinë të ndryshojmë kodin. Kam dhe një thirrje për Policinë e Shtetit, këta të fortët e lagjeve, këta duhen bërë shembull të gjithë. Këta të fortët e lagjeve duhet të kontrollohen mëngjes, drekë, darkë, këta nuk duhet të kenë fare patentë. Besoj se dhe ti (i drejtohet Berishës) je dakord që këta të fortët duhet të bëhen shembull nga policia në të gjitha komunitetet”, u shpreh Balla


